Polonia, një nga mbështetëset kryesore të Ukrainës fqinje në luftën kundër Rusisë, njoftoi të enjten arrestimin e gjashtë personave të dyshuar për spiunazh në favor të Moskës dhe furnizim të ushtrisë ruse me pajisje e komponentë ushtarakë.

Në mesin e të arrestuarve janë pesë shtetas polakë, të moshës nga 25 deri në 52 vjeç, si dhe një shtetas rus 37-vjeçar. Këtë e bëri të ditur në rrjetin social X koordinatori i shërbimeve speciale të Polonisë, Tomasz Siemoniak.

Agjencia e Sigurisë së Brendshme e Polonisë (ABW) njoftoi se katër të dyshuar, përfshirë shtetasin rus, janë akuzuar për spiunazh dhe janë dërguar në paraburgim për tre muaj.

Reklamë

“Sipas dyshimeve, grupi i ka furnizuar në mënyrë të paligjshme strukturat ruse me sasi të konsiderueshme komponentësh për përdorim ushtarak, të cilët shërbejnë veçanërisht në prodhimin e municioneve dhe sistemeve të armëve”, thuhet në njoftimin e agjencisë.

Të gjashtë personat dyshohet gjithashtu se kanë shkelur rregullat që rregullojnë tregtinë ndërkombëtare të mallrave dhe teknologjive me rëndësi strategjike për mbrojtjen kombëtare dhe sigurinë ndërkombëtare.

Sipas gjetjeve të hetimit, skema kriminale ka funksionuar nga qershori i vitit 2023 deri në dhjetor të vitit 2025. Aktivitetet e grupit janë shtrirë në Poloni, Lituani dhe Rusi, ndërsa anëtarët e tij merreshin me porositjen dhe blerjen e mallrave, organizimin e grumbullimit të tyre dhe transportimin përtej kufirit drejt rajonit rus të Kaliningradit.

Për transportimin e pajisjeve, të dyshuarit përdornin automjete të pajisura me hapësira të fshehta. Ata kanë kaluar në shumë raste kufirin polako-rus, por disa nga mallrat janë ndaluar nga autoritetet kufitare të Polonisë.

Mes produkteve të tregtuara në mënyrë të paligjshme ishin komponentë municionesh, përfshirë gëzhoja dhe predha artilerie, transmeton Telegrafi.

Reklamë

Sipas prokurorisë, vlera e përgjithshme e komponentëve të blerë dhe transportuar drejt Rusisë tejkalon dy milionë zloty polake, apo rreth 455 mijë euro.

Përveç akuzave për spiunazh, katër nga të dyshuarit akuzohen edhe për veprimtari në interes të shërbimeve ruse të inteligjencës kundër Republikës së Polonisë.

Agjencia e Sigurisë së Brendshme po vazhdon hetimet për të përcaktuar përmasat e plota të veprimtarisë së grupit.

Polonia, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ndodhet në krahun lindor të Aleancës dhe ka akuzuar vazhdimisht Rusinë për akte sabotimi që nga pushtimi i plotë i Ukrainës në vitin 2022. Territori polak është gjithashtu korridori kryesor për transportimin e ndihmës ushtarake dhe humanitare perëndimore drejt Ukrainës.

Reklamë

Të martën, kryeministri Donald Tusk deklaroi se autoritetet polake kishin parandaluar një provokim të mundshëm gjatë natës në kufirin me enklavën ruse të Kaliningradit.

Sipas Siemoniakut, që nga 1 janari 2024, në kuadër të hetimeve të ABW-së për spiunazh dhe sabotim, janë ngritur akuza ndaj afro 100 personave.