Kapiteni i Barcelonës, Raphinha, ka nënshkruar kontratën e re që do ta mbajë në klub deri në vitin 2030.
Me rastin e rinovimit, braziliani ka shprehur dëshirën që të mos largohet më nga skuadra katalanase dhe ta mbyllë karrierën me fanellën blaugrana.
“Jam shumë krenar për këtë që po ndodh. Vetëm unë dhe familja ime e dimë se çfarë kemi kaluar. Nëse fizikisht vazhdoj të jem në gjendje të luaj në nivel të lartë, do të më pëlqente ta përfundoja karrierën te Barcelona”, deklaroi 29-vjeçari.
Raphinha nuk e fshehu ambicien për të fituar sa më shumë trofe në vitet e ardhshme, ndërsa Liga e Kampionëve mbetet një prej ëndrrave të tij më të mëdha.
“Dua të njihem për titujt që fitoj. Objektivi im është të fitoj gjithçka që është e mundur. Kemi synimin për ta fituar Ligën e Kampionëve dhe po punojmë për këtë. Dua të fitoj sa më shumë trofe deri në vitin 2030”, theksoi ai.
Braziliani foli edhe për ndryshimin e situatës së tij në Barcelonë, pasi në fillim nuk kishte arritur t’i përmbushte të gjitha pritshmëritë.
“Unë gjithmonë kam dhënë më të mirën. Ndoshta rezultatet nuk ishin ato që njerëzit prisnin, por e dija se çfarë mund të bëja. Kam punuar me intensitet dhe kam dhënë gjithçka për klubin”, u shpreh Raphinha.
Në fund, ai komentoi edhe rolin e ri si sulmues qendror, duke pranuar se statistikat e tij e kanë befasuar edhe vetë.
“Nuk e prisja të arrija në këtë pikë me kaq shumë gola. Kam ndryshuar disa pozita në klub, gjithmonë duke kërkuar atë që është më e mira për bashkëlojtarët dhe trajnerin. Kur më thanë se do të luaja si numër nëntë, dhashë gjithçka për t’u përshtatur sa më shpejt. Numrat më kanë befasuar pak, por besoj se mund të arrijmë edhe më larg”, përfundoi braziliani.