Partia Aleanca që udhëhiqet nga Ardian Gjini ka kritikuar Qeverinë Kurti për shkelje të shumta institucionale, skandale financiare, nepotizëm dhe mungesë të llogaridhënies.

Kjo parti përmes një reagimi në Facebook ka shkruar se Kosova po e përmbyll edhe këtë javë nën një degradim institucional, ndërsa dështimet e qeverisë po rëndojnë drejtpërdrejt mbi qytetarët.

Tutje partia e Gjinit thotë se mbi 11 milionë euro janë paguar brenda pesë ditëve pune për import të energjisë, ndërkohë që qytetarët po përballen sërish me mungesë të furnizimit dhe paralajmërime për shtrenjtim të tarifave.

Reklamë

Një tjetër çështje e ngritur nga Aleanca është ajo e emërimeve në shërbimin e jashtëm, të cilat i cilëson si nepotizëm partiak, ku përmend emërimet e familjarëve të zyrtarëve të pushtetit në ambasada, si dhe deklarata e ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca, se listat e emrave i dorëzohen për nënshkrim pa i shqyrtuar paraprakisht.

Reagimi i saj:

Kosova falë këtij pushteti, përmbyll edhe një javë me shumë shkelje e skandale!

Kosova po e përmbyll këtë javë nën një degradim të paprecedentë institucional, ku dështimet e njëpasnjëshme qeverisëse po faturohen direkt mbi kurrizin dhe portofolin e qytetarëve. Edhe këto ditë, vazhdoi ekspozimi i këtij pushteti totalisht të shkëputur nga realiteti, i cili funksionon përmes skandaleve financiare, nepotizmit flagrant dhe ikjes sistematike nga llogaridhënia ligjore e morale.

Kjo ditë e shtunë ka nisur në terr dhe nën ankthin e reduktimeve të ashpra të energjisë elektrike në shumë komuna të vendit. Ky rikthim i reduktimeve vjen në kohën kur Kosova ka paguar miliona vetëm brenda një jave për import të rrymës. Mbi 11 milionë euro janë avulluar për vetëm pesë ditë pune, ndërkohë që qytetarët sot po përballen me mungesë të energjisë dhe me paralajmërimin e pashmangshëm se kjo faturë marramendëse do të paguhet sërish nga xhepat e tyre, me ngritjen e sërishme të çmimit të tarifave që po përgatitet të ndodhë së shpejti.

Reklamë

Paralelisht me kolapsin energjetik, shërbimi i jashtëm i Kosovës u shndërrua këtë javë në një fabrikë të pastër të nepotizmit partiak, ku diplomatët u zëvendësuan me nipa, mbesa e familjarë të pushtetarëve. Emërimet e dyshimta të mbesës së Xhelal Sveçlës, vajzës së axhës së Luan Dalipit dhe militantëve të tjerë nëpër ambasada kyçe, u vulosën me deklaratën skandaloze të Kryediplomatit Glauk Konjufca. Pohimi i tij publik se vetëm ia sjellin listat dhe ai i nënshkruan pa parë emrat, dëshmon shndërrimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në një zyrë formale për rehatimin e familjarëve, duke shkelur çdo kriter të meritokracisë.

Kjo tendencë për të fshehur të vërtetat e qeverisjes së tyre skandaloze, u shpërfaq haptazi në Kuvend përmes një bllokade të sinkronizuar mes deputetëve të shumicës parlamentare dhe ekzekutivit, ku transparenca u sabotua në çdo nivel. Gjatë kohës sa po diskutohej për gjetjet e Raportit të Auditorit të Përgjithshëm, salla u braktis masivisht nga deputetë të VV-së për të shmangur përballjen me gjetjet kritike.

Ky izolim nga llogaridhënia mori një goditje të rëndë edhe nga Raporti i Progresit të Bashkimit Evropian, i cili konstatoi zyrtarisht se nuk ka pasur “asnjë përparim” në sistemin e drejtësisë dhe kritikoi qeverisjen për dështim në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë.

Ky model i shmangies së përgjegjësisë u shtri edhe brenda institucioneve më të larta ligjvënëse. Deputetë të VV-së bllokuan raportimin e detyrueshëm para Komisionit Hetimor Parlamentar për Zyrën e Kryeministrit, duke dëshmuar frikën e këtij ekzekutivi nga ballafaqimi me të vërtetën.

Reklamë

Skandali më i madh dhe më i rëndë kulmon me dështimin e shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve të tij. Edhe sot, në fundjavë, rrugët e Prishtinës po ushtojnë nga protestat e pandalshme për vrasjen makabre të Arlinda Zekajt në Pejë. Përballë revoltës qytetare, tymueseve dhe thirrjeve legjitime për dorëheqjen e ministrave Sveçla e Gërvalla, krerët e shtetit kanë zgjedhur heshtjen absolute.

Mungesa e përgjigjeve apo akti moral nga udhëheqësit e institucioneve vërteton se ky pushtet e ka humbur tërësisht ndjeshmërinë dhe legjitimitetin për të qeverisur me Kosovën