Eurodeputeti holandez Thijs Reuten e ka cilësuar si “turp dhe skandal” faktin që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian ka mbetur pa u proceduar.

Duke komentuar Raportin e Progresit për Kosovën, Reuten tha se viti i kaluar ishte i vështirë për vendin, pasi një pjesë e madhe e kohës u shpenzua në procese politike dhe zgjedhje.

“Raporti i Progresit për Kosovën përshkruan një vit të vështirë, gjatë të cilit shumë kohë u shpenzua për formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjet. Prandaj, në raport u theksua se përparimi ishte i kufizuar”, tha Reuten në KlanKosova.

Reklamë

Ai theksoi se tani pret që Qeveria e re të përqendrohet në zbatimin e reformave.

Reuten kritikoi gjithashtu ngecjen e aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat në BE.

“Është turp dhe skandal që aplikimi i Kosovës për hyrje në BE ka mbetur në sirtar, pa asnjë arsye”, u shpreh ai.

Sipas eurodeputetit, nuk ka pengesa në traktatet e BE-së që do të ndalonin nisjen e procedurës për dërgimin e pyetësorit për Kosovën, edhe pse disa shtete anëtare ende nuk e njohin pavarësinë e saj.

Ai tha se do të vazhdojë të avokojë për këtë çështje, ndërsa kërkoi që Kosova të mos heqë dorë nga reformat, veçanërisht në drejtësi dhe sundimin e ligjit.

Reklamë

“Sa më shumë që Kosova të jetë e gatshme dhe sa më shumë reforma të bëjë, aq më shumë do të jetë në linjë me BE-në dhe aq më mirë do të jetë për qytetarët e saj”, theksoi Reuten.