Dy zyrtarë policorë janë plagosur gjatë sulmit me armë zjarri në Krakov të Polonisë, ku të paktën gjashtë persona humbën jetën dhe 15 të tjerë u plagosën. Njëri prej policëve ndodhet në gjendje të rëndë.
Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Brendshme e Polonisë, përmes një përditësimi të fundit lidhur me sulmin që ndodhi të shtunën në sheshin kryesor të Krakovit.
Ndërkohë, kryeministri polak, Donald Tusk, ka reaguar përmes një postimi në platformën X, duke shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave dhe duke vlerësuar veprimet e policëve.
“Ngushëllimet e mia më të thella për familjet dhe të dashurit e viktimave të sulmit tragjik në Krakov. Vlerësimin më të lartë për policët heroikë që rrezikuan jetën e tyre. Dhe një thirrje të përzemërt për politikanët e të gjitha krahëve: mos e shfrytëzoni këtë tragjedi. Ne do t’i zbardhim të gjitha rrethanat e këtij krimi”, ka shkruar Tusk në X.
Reagimi i kryeministrit vjen pas sulmit në të cilin, sipas autoriteteve polake, një person hapi zjarr nga vetura e tij ndaj qytetarëve në sheshin kryesor të Krakovit.
Sulmuesi është qëlluar dhe plagosur nga policia, ndërsa më pas është dërguar në spital.