Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani, pati një tjetër paraqitje të shkëlqyeshme në fitoren e Hoffenheimit 2:1 ndaj Schalkes, në kuadër të javës së nëntë të Bundesligës.
Reprezentuesi kosovar ishte protagonist kryesor në këtë fitore, duke shënuar golin e parë në minutën e 10-të dhe duke asistuar në golin e dytë të shënuar nga Tim Lemperle në minutën e 26-të.
Pas ndeshjes, Asllani ka folur për periudhën e ngarkuar që ka kaluar skuadra e tij, me shumë ndeshje dhe probleme me lëndime.
“Kur për katër javë rresht luan në fundjavë dhe mesjavë, kjo është ngarkesë e jashtëzakonshme. Ndoshta kjo është arsyeja pse na mungoi pak energji kundër Schalkes. Sidomos kur kemi edhe lëndime. Së fundi është dukur se 12-13 lojtarë kanë zënë vend vazhdimisht në ekipin startues”, ka thënë Asllani.
Megjithatë, 24-vjeçari nuk e sheh si problem ritmin e shpeshtë të ndeshjeve, përkundrazi, ai preferon të jetë sa më shumë në fushën e lojës.
“Më pëlqen. Preferoj të luaj. Asgjë nuk ka më të mirë se ndeshjet e shpeshta. I preferoj ndeshjet para stërvitjes”, ka deklaruar sulmuesi kosovar.
Asllani ka folur edhe për emocionet që i solli goli i parë i këtij edicioni në Bundesligë, duke zbuluar se realizimi kishte një domethënie të veçantë familjare.
“Golat gjithnjë ngjallin ndjenja tek unë, është gjithnjë mirë. Ishte po ashtu ditëlindja e babait tim. Ishte dhuratë për të, goli i parë i edicionit në Bundesligë, nuk do të mund të shkruaja tregim më të mirë”, ka theksuar Asllani.
Pas kësaj fitoreje, sulmuesi kosovar i bashkohet Kosovës për ndeshjet e nëntorit në Ligën e Kombeve.