Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka kërkuar nga deputetët që të miratojnë mocionin procedural për përfshirjen në rendin e ditës të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Duke folur në Kuvend, Çitaku ka thënë se PDK-ja është pajtuar me grupet parlamentare që e kanë mbështetur ligjin që ai të miratohet në formën aktuale, ndërsa procedura e amendamentimit të nisë menjëherë të hënën.
Ajo ka bërë të ditur se PDK-ja do ta sjellë të hënën nismën e re ligjore dhe se për ndryshimet në ligj do të kërkojë një afat prej dy javësh.
“Edhe pse kemi pasur mospajtime në procedurë, në përmbajtje kemi dakordim. Unë ju ftoj, zonja kryetare, që këtë mocion ta miratojmë sot, ta miratojmë ligjin sot dhe menjëherë të hënën të fillojmë procedurën e amendamentimit. Këtij procesi, për të treguar seriozitet, t’i japim dy javë kohë”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo i ka falënderuar 90 deputetët që, sipas saj, e kanë votuar ligjin në dy lexime, duke vlerësuar se me atë votim dhe unitet është dëshmuar pjekuri politike dhe kombëtare.
Çitaku ka thënë se PDK-ja ka kërkuar kthimin e ligjit në Kuvend pasi ka marrë këshilla dhe rekomandime që, sipas saj, do ta bënin atë më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm juridikisht.
Ajo ka pranuar se ky vendim mund t’i kushtojë politikisht partisë, por ka theksuar se qëllimi i ndryshimeve është më i rëndësishëm sesa kostoja politike.
“Zotohem publikisht se të hënën do ta sjellim nismën e re ligjore dhe brenda dy javësh do t’i bëjmë ndryshimet e ligjit në fjalë”, ka thënë Çitaku.