Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar hyrjen në Kosovë të mbi 12 tonëve produkte ushqimore të importuara nga Maqedonia e Veriut, për shkak të problemeve të përsëritura me sigurinë ushqimore dhe higjienën gjatë prodhimit.
Bëhet fjalë për dy ngarkesa me gjithsej 12 mijë e 268 kilogramë kremra ushqimorë me yndyrë bimore dhe produkte djathi, të importuara nga kompania “VIZIONI M.Z.I.” nga Graçanica. Produktet ishin prodhuar në fabrikën “AD MLEKARA TETOVO” në Maqedoninë e Veriut.
Sipas AUV-së, vendimi për refuzimin e importit është marrë pas konstatimit të shkeljeve të përsëritura të kritereve të sigurisë ushqimore të fabrikës “AD MLEKARA TETOVO”, përfshirë rezultatet e pakënaqshme laboratorike për praninë e bakterit Escherichia coli mbi kufijtë e lejuar në ngarkesa të mëparshme.
Për këtë arsye, më 6 nëntor, AUV-ja kishte vendosur ndalimin e importit të produkteve nga kjo fabrikë dhe largimin e saj nga lista e stabilimenteve të aprovuara për eksport në Kosovë.
Të dyja ngarkesat janë ndaluar në pikën kufitare në Han të Elezit dhe është urdhëruar kthimi i tyre në vendin e origjinës.