Platforma e njohur ndërkombëtare e tregimeve online, Archive of Our Own (AO3), është rikthyer në funksion pas një ndërprerjeje gati dyjavore, të shkaktuar nga një incident sigurie.
Sipas agjencisë amerikane të lajmeve Associated Press (AP), rikthimi i platformës është pritur me entuziazëm nga përdoruesit e saj, të cilët prej 29 tetorit nuk kishin mundësi t’u qaseshin tregimeve të publikuara në të.
AO3 është një platformë ku adhuruesit e librave, filmave, serialeve dhe videolojërave shkruajnë dhe publikojnë tregime të reja, të frymëzuara nga personazhet dhe universet e veprave të njohura. Këto krijime njihen si fanfiction.
Platforma menaxhohet nga organizata jofitimprurëse Organization for Transformative Works (OTW).
Të dielën, më 15 nëntor, organizata njoftoi se faqja ishte rikthyer në funksion, megjithëse disa shërbime vazhdojnë të jenë të kufizuara.
Gjatë ndërprerjes, përdoruesit përballeshin me mesazhin e gabimit “Bad Gateway”, ndërsa mungesa e qasjes në platformë shkaktoi reagime të shumta në komunitetin e lexuesve dhe autorëve.
Sipas AP-së, disa autorë shprehën pakënaqësi pasi tregimet e tyre ishin shpërndarë në Google Drive dhe platforma të tjera pa miratimin e tyre.
Një platformë me miliarda shikime
Shifrat tregojnë përmasat e komunitetit që përdor AO3.
Sipas të dhënave të publikuara nga organizata për vitin 2025, në platformë u krijuan afro 2.6 milionë tregime dhe vepra të reja, ndërsa faqja regjistroi rreth 40 miliardë shikime.
Organizata raportoi gjithashtu se në platformë ishin krijuar afro dy milionë llogari përdoruesish.
Megjithëse faqja është rikthyer, disa funksione mbeten përkohësisht të çaktivizuara.
Përdoruesit aktualisht nuk mund të importojnë tregime nga faqe të tjera, ndërsa shkarkimi i përmbajtjes është i mundur vetëm në formatin HTML. Edhe ikonat e përdoruesve janë çaktivizuar përkohësisht.
Organizata ka premtuar rikthimin gradual të këtyre funksioneve dhe ka kërkuar falje për shqetësimet e shkaktuara.
AO3 ka qenë gjithashtu objekt kritikash për përmbajtjet me natyrë seksuale, të cilat mund të jenë të qasshme për të miturit, si dhe për raste të racizmit brenda komuniteteve të fansave.
Ende nuk janë bërë të ditura hollësitë e incidentit të sigurisë që shkaktoi ndërprerjen e shërbimit.