Komisioni Europian ka shprehur keqardhje për interpretimin e këngës nacionaliste serbe “Oj, Kosovo, Kosovo” gjatë koncertit hapës të Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel.

Në një përgjigje, Komisioni sqaron se nuk ka miratuar përzgjedhjen e këngës dhe se ajo melodi nuk përfaqëson qëndrimin e tij ndaj Kosovës.

Reagimi i plotë i Komisionit Europian:

Reklamë

“Siç deklaroi komisionerja Kos këtë mëngjes, kënga në fjalë u përzgjodh nga grupi muzikor dhe nuk u miratua nga Komisioni. Na vjen keq për këtë zgjedhje të grupit. Ajo prek ndjeshmëri të veçanta, sidomos duke pasur parasysh historinë e dhimbshme dhe përvojat e ndryshme të komuniteteve në Kosovë. Kënga nuk pasqyron në asnjë mënyrë qëndrimin e Komisionit Europian apo të komisioneres Kos ndaj Kosovës dhe historisë së saj. Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën tonë të përbashkët, por mund të zgjedhim të ardhmen tonë të përbashkët. Dhe kjo e ardhme duhet të jetë europiane, një e ardhme pa ndarje, ku të gjithë ndihen si në shtëpinë e tyre. Ne nuk po u kërkojmë njerëzve të harrojnë dallimet e tyre. Po ndërtojmë një Europë ku dallimet nuk janë më arsye për të jetuar të ndarë. Siç tha një nga folësit në aktivitetin e djeshëm: Dallimet janë të mira, ndarjet jo. Është në këtë frymë që ne vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Përfaqësues nga të gjitha vendet kandidate dhe potencialisht kandidate marrin pjesë aktivisht në Forum. Është e vërtetë që pesë nga vendet tona kandidate kanë përfaqësues të qeverive të tyre në forum. Një përfaqësuese e shoqërisë civile të Kosovës, Donika Emini, nga D-Square, po merr pjesë në një panel të posaçëm kushtuar pajtimit.”

Kënga “Oj, Kosovo, Kosovo”, e vitit 1989, u interpretua pa tekst, vetëm në version instrumental, nga grupi slloven Marko Hatlak & Kapobanda, gjatë koncertit “Melodies of Unity”, në Albert Hall të Brukselit.

Në tekstin e këngës, Kosova përshkruhet si “toka ime e dashur” dhe si vendi i princit Lazar dhe Millosh Obiliçit, dy figura të historisë dhe traditës serbe të lidhura me Betejën e Kosovës të vitit 1389. Kënga përmend edhe manastirin e Graçanicës dhe Vidovdanin, ditën kur serbët përkujtojnë këtë betejë. Përmes këtyre referencave, kënga e lidh Kosovën me historinë dhe identitetin kombëtar serb, duke e paraqitur si tokë që u përket serbëve.