Vinicius Jr. po kalon një sezon mjaft të vështirë te Real Madridi, pasi deri më tani nuk ka arritur të tregojë formën e tij më të mirë.

Pas nënshkrimit të një kontrate të re dhe mjaft fitimprurëse gjatë verës, reprezentuesi brazilian ka realizuar vetëm një gol në të gjitha garat këtë sezon dhe duket se e ka humbur vendin në formacionin titullar.

Situata e Viniciusit u vështirësua edhe më shumë nga suspendimi prej katër ndeshjesh në garat vendore, i cili tashmë ka përfunduar. Kështu, ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen e ardhshme të Real Madridit ndaj Celta Vigos.

Reklamë

Sipas “Defensa Central”, Jose Mourinho tashmë ka një plan për t’i shfrytëzuar cilësitë e brazilianit në ndeshjen ndaj Celta Vigos, të cilën Real Madridi do ta zhvillojë të shtunën, pas përfundimit të pauzës për ndeshjet e kombëtareve.

Trajneri i Real Madridit nuk planifikon ta aktivizojë Viniciusin nga minuta e parë, duke u dhënë përparësi emrave si Yan Diomande dhe Arda Guler. Megjithatë, ai po e shqyrton mundësinë për ta përdorur brazilianin gjatë pjesës së dytë.

Mourinho dëshiron që reprezentuesi brazilian të inkuadrohet nga banka rezervë rreth minutës së 60-të, me shpresën se mund të ndikojë në rrjedhën e ndeshjes.

Logjikisht, Vinicius mund të ketë më shumë hapësira për të shkëlqyer ndaj një kundërshtari që deri në atë moment do të ketë kaluar një orë duke u mbrojtur. Mourinho synon që në këtë mënyrë ta ndihmojë sulmuesin ta rikthejë vetëbesimin.

Raportimi shton se Mourinho është mjaft i kënaqur me paraqitjet e Vinicius Jr. gjatë grumbullimit me Kombëtaren e Brazilit.

Reklamë

Sulmuesi shkëlqeu në humbjen 3-2 të Brazilit ndaj Japonisë në miqësoren e parë, ku realizoi dy gola, duke treguar shenja të rikthimit të formës së tij të dikurshme.

Edhe miqësorja e dytë ndaj Singaporit do të jetë shumë e rëndësishme për Viniciusin, i cili synon ta ruajë formën e mirë para rikthimit në Valdebebas.

Ideja e Mourinhos është që braziliani të ketë mundësinë të luftojë sërish për një vend në formacionin titullar, nëse arrin të bëjë një paraqitje bindëse në minutat që do t’i jepen ndaj Celta Vigos.

Mbetet të shihet nëse ky plan do të funksionojë, pasi situata e Viniciusit mund të ndërlikohet edhe më shumë nëse ai nuk arrin të lërë gjurmë në këtë ndeshje.

Reklamë