Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka lëshuar një paralajmërim sigurie për qytetarët amerikanë, duke tërhequr vëmendjen për rrezikun e sulmeve terroriste gjatë sezonit të festave në Evropë.
Në njoftimin e publikuar më 16 nëntor 2026, Ambasada Amerikane në Prishtinë u bën thirrje qytetarëve amerikanë të tregojnë vigjilencë të shtuar në hapësirat publike, veçanërisht në vendet ku organizohen aktivitete festive dhe grumbullohen shumë njerëz, shkruan Reporteri.net.
Sipas Ambasadës, tubimet e mëdha dhe ngjarjet publike mund të shndërrohen në objektiva të grupeve terroriste dhe personave që kryejnë veprime kriminale.
“Terroristët, përfshirë individët që veprojnë të vetëm, mund të sulmojnë me pak ose aspak paralajmërim, duke shënjestruar vende turistike, si tregjet, qendrat e transportit, qendrat tregtare, objektet fetare dhe hapësirat e tjera publike”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
Ambasada u rekomandon qytetarëve amerikanë të jenë veçanërisht të kujdesshëm gjatë festivaleve dhe aktiviteteve të festave, si dhe në vendet me përqendrim të madh njerëzish.
Vizitorëve në zonat turistike u kërkohet t’i kushtojnë vëmendje mjedisit përreth dhe të ndjekin udhëzimet e policisë dhe autoriteteve përgjegjëse për emergjencat.
Në njoftim jepen edhe disa rekomandime konkrete për sigurinë personale. Qytetarëve amerikanë u kërkohet të shmangin demonstratat dhe zonat me prani të shtuar policore, të mbajnë profil të ulët dhe të kujdesen për sendet e tyre me vlerë gjatë qëndrimit në hapësira publike.
Ambasada këshillon gjithashtu qytetarët që planifikojnë udhëtime të kontaktojnë kompanitë ajrore për të verifikuar ndryshimet e mundshme në fluturime.
Paralajmërimi lidhet me situatën e sigurisë në Evropë
Megjithëse është publikuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, njoftimi e përcakton shprehimisht zonën e paralajmërimit si gjithë Evropën, pa identifikuar ndonjë kërcënim konkret ndaj Kosovës.
Në dokument theksohet se gjatë sezonit të festave mund të ketë ndërprerje të udhëtimeve dhe aktiviteteve të përditshme në vende të ndryshme evropiane.
Sipas Ambasadës, grevat dhe demonstratat janë shpeshtuar gjatë muajve të fundit.
Po ashtu, gjatë nëntorit, kërcënime të rreme për bomba kanë shënjestruar aviacionin civil në disa shtete evropiane, duke shkaktuar pengesa në fluturime.
Autoritetet amerikane u rekomandojnë qytetarëve të përcjellin lajmet lokale gjatë udhëtimeve dhe të informohen për çdo zhvillim që mund të ndikojë në transport apo në jetën e përditshme.
Ambasada i inkurajon qytetarët amerikanë jashtë vendit të regjistrohen në programin Smart Traveler Enrollment Program (STEP), për të marrë njoftimet më të fundit për sigurinë në destinacionet e tyre.
Paralajmërime të ngjashme edhe nga ambasadat amerikane në Evropë
Paralajmërimi i publikuar në Prishtinë është pjesë e një njoftimi më të gjerë të autoriteteve amerikane për sigurinë gjatë sezonit të festave.
Më 16 nëntor, njoftime të ngjashme janë publikuar edhe nga ambasadat amerikane në disa kryeqytete evropiane, përfshirë Berlinin, Madridin, Lisbonën, Lubjanën dhe Talinin.
Mesazhi i përbashkët është që qytetarët amerikanë të tregojnë kujdes të shtuar në tregjet e Krishtlindjeve, qendrat tregtare, stacionet e transportit dhe vendet e tjera që pritet të kenë frekuentim të lartë gjatë festave.
Njoftimi nuk identifikon ndonjë plan konkret për sulm terrorist, as ndonjë vend apo datë të caktuar ku mund të ndodhë një sulm./ Reporteri.net