Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykim ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Besnik Salihut duke e dënuar me dënim unik prej 24 vjet burgim lidhur me vrasjen e S.S., kurse vëllain e tij, Ilaz Salihu e liroi nga akuza.
Aktakuza ngarkonte Besnik Salihun për vrasjen e S.S., në mars të 2023-ës në Dumnicë të Podujevës dhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa Ilaz Salihun për ndihmë në kryerjen e vrasjes.
Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi dhe anëtarët Gazmend Bahtiri dhe Gent Beka.
Besnik Salihu u shpall fajtor për veprën penale “Vrasja” dhe u dënua me 23 vjet burgim, si dhe për armëmbajtje pa leje ku u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik me 24 vjet burgim.
Kurse, Ilaz Salihu u lirua nga akuza për ndihmë në vrasje, pasi nuk u provua se ka kryer veprën që i vihej në barrë.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 11 shkurt 2026 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Besnik Salihut duke e dënuar me dënim unik prej 25 vjet burgim për rastin e vrasjes së S.S., pasi iu rikualifikua vepra penale nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje” dhe për armëmbajtje pa leje. Kurse, vëllai i tij, Ilaz Salihu u lirua nga akuza. Por, Gjykata e Apelit me vendimin e datës 23 qershor 2026, anuloi aktgjykimin e shkallës së parë dhe e ktheu rastin në rigjykim.
Sipas aktakuzës, më 26 mars 2023, rreth orës 18:08 minuta, në fshatin Dumincë e Epërme, Komuna e Podujevës, pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit Besnik Salihu dhe tani të ndjerit S.S., i akuzuari në mënyrë dinake dhe papritur iu afrua të ndjerit S.S. me qëllim që t’i merrte jetën.
Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata./Betimi për Drejtësi”.