Ukraina ka publikuar pamje të sulmit të saj më të fundit ndaj Urës së Kerçit, një lidhje kyçe rrugore dhe hekurudhore që bashkon Gadishullin e Krimesë me territorin kryesor të Rusisë.

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) njoftoi se operacioni u krye gjatë natës, në koordinim me forcat e mbrojtjes të Ukrainës.

Sipas këtij shërbimi, goditja shkatërroi një nga harqet e urës dhe një pjesë të rrugës, shkruajnë mediat e huaja.

Reklamë

Ura shërben si një rrugë jetike për furnizimet ushtarake ruse drejt Krimesë dhe është një simbol madhor i aneksimit të gadishullit nga Moska në vitin 2014.

Ndërkohë, Komiteti Hetues i Rusisë konfirmoi se ura ka pësuar dëmtime strukturore dhe njoftoi hapjen e një hetimi për sulm terrorist.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi se ushtria ukrainase qëndron pas sulmit, të cilin e cilësoi si një operacion të paprecedentë, të përgatitur gjatë disa javëve.

Sipas tij, fillimisht u shkatërruan gradualisht sistemet ruse të mbrojtjes ajrore, radarët dhe pajisjet elektronike.

Reklamë

Më pas, dronët goditën pjesën rrugore të urës, ndërsa raketat dhe dronët u përdorën kundër pjesës hekurudhore.

Zelensky tha se sulmi synonte një nga pikat kryesore të kalimit ushtarak të Rusisë drejt Krimesë, duke shtuar se Ukraina po i kujton Moskës se lufta do të kthehet gjithmonë aty ku filloi.

Ura e Kerçit u ndërtua nga Rusia pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014. Ajo është goditur edhe në tri sulme të mëparshme ukrainase, i fundit prej të cilëve ishte në qershor të vitit 2025.