Kompania kosovare “Apetit SHPK” është përfshirë brenda një periudhe rreth gjashtëmujore në dy skandale me mish. Në njërin rast, autoritetet në Mal të Zi ndaluan rreth 103 tonë mish viçi me afat të skaduar, ndërsa në rastin tjetër, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë urdhëroi tërheqjen nga tregu të mishit të ngrirë të pulës, pasi në mostrat e analizuara u konstatua prania e bakterit Salmonella Minnesota.

Përkundër këtyre rasteve, kompania vazhdon të operojë në tregun kosovar, ndërsa të dhënat e Doganës së Shqipërisë tregojnë se rreth 80 për qind e deklaratave të tranzitit për dërgesat e lidhura me këtë kompani gjatë vitit 2026 kishin si vend eksportues Brazilin.

Rasti i parë u zbulua në Mal të Zi, ku autoritetet doganore ndaluan fillimisht tre kontejnerë me mish të ngrirë viçi nga Brazili, me peshë rreth 77.8 tonë, të destinuar për kompaninë “Apetit”. Gjatë kontrollit u konstatua se mishi kishte afat të skaduar. Për më tepër, autoritetet malazeze ngritën dyshime se etiketat origjinale, në të cilat ishte shënuar afati i skaduar, ishin hequr dhe zëvendësuar me etiketa të tjera me afat të ndryshuar përdorimi.

Reklamë

Vetëm dhjetë ditë më vonë, më 24 shtator, në Portin e Tivarit u ndalua edhe një kontejner tjetër me 24.65 tonë mish viçi, po ashtu i destinuar për kompaninë kosovare. Edhe në këtë rast u konstatua se produkti kishte afat përdorimi të skaduar.

Në total, autoritetet malazeze ndaluan rreth 103 tonë mish.

Ndërsa rasti i dytë lidhet me mishin e ngrirë të pulës nga Brazili. AUV ka bërë të ditur se gjatë analizave laboratorike në mostrat e këtij produkti është identifikuar bakteri Salmonella Minnesota. Për këtë arsye, Agjencia ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të shitjes dhe tërheqjen nga tregu të produkteve të markave “Coopavel” dhe “Superfrango”, të importuara nga kompania “Apetit SHPK”.

Rreth 80 për qind e deklaratave të tranzitit lidhen me Brazilin
Përmasat e importit të produkteve nga Brazili dalin në pah edhe nga të dhënat që Dogana e Shqipërisë i ka dërguar Insajderit.

Sipas përgjigjes zyrtare, gjatë vitit 2026 janë regjistruar gjithsej 618 deklarata tranziti për dërgesat e nisura drejt Kosovës për llogari të kompanisë “Apetit”. Prej tyre, 79.29 për qind kishin si vend eksportues Brazilin.

Reklamë

Pas Brazilit renditet Paraguai me 7.12 për qind, Mali i Zi me 5.02 për qind, Tajlanda me 3.40 për qind dhe Argjentina me 3.24 për qind. Pjesa tjetër përfshin vende të tjera, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Nga 618 deklaratat e regjistruara, 56 i janë nënshtruar kontrollit dokumentar, dy kontrolleve dokumentare dhe fizike, ndërsa 560 janë kontrolluar përmes skanerit.

Kompania vazhdon aktivitetin, institucionet nën presion për kontrolle
Dy rastet e fundit e vendosin sërish në qendër të vëmendjes sigurinë e produkteve të mishit që importohen në Kosovë, veçanërisht nga Brazili, i cili përbën pjesën dërrmuese të deklaratave të tranzitit të lidhura me kompaninë.

Reklamë

AUV ka bërë të ditur se kontrollet e jashtëzakonshme po vazhdojnë, përfshirë verifikimin e gjurmueshmërisë së produkteve, sasive të importuara, atyre të shpërndara në treg dhe stokut të mbetur.

Ndërkohë, “Apetit SHPK” është përballur edhe më herët me raportime dhe pretendime lidhur me mishin e importuar nga Brazili, të cilat kompania i kishte mohuar.