Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar një zyrtar policor nga Stacioni Policor në Ferizaj, nën dyshimin për organizim të bixhozit të paligjshëm, skema piramidale dhe armëmbajtje pa leje.
Arrestimi është kryer të hënën, pas hetimeve në koordinim me Prokurorinë e Shtetit. Zyrtarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Gjatë bastisjes së shtatë lokacioneve, hetuesit kanë sekuestruar dy armë të shkurtra, një armë të gjatë gjuetie, dy thika dhe municion të llojeve të ndryshme.
Sipas dyshimeve fillestare, polici dyshohet se gjatë vitit 2026, jashtë detyrës zyrtare, ishte përfshirë në organizimin e bixhozit të paligjshëm online, si dhe kishte poseduar një armë të gjatë të tipit Kallashnikov, të cilën dyshohet se ia kishte shitur një personi tjetër.
Në këtë rast janë intervistuar edhe gjashtë persona të tjerë, të dyshuar për veprën penale “Shitblerja e armëve”. Hetimet ndaj tyre do të vazhdojnë në procedurë të rregullt.
IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e zyrtarit, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.