Hetuesit policorë të Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë të Jugut kanë arritur të zbardhin tri raste të mashtrimit me automjete si dhe të arrestojnë një person të dyshuar për përfshirje në këto raste.

Arrestimi i të dyshuarit është realizuar mbi bazën e provave të siguruara, “sipas të cilave dyshohet se në tri raste të ndryshme i njëjti kishte marrë vetura me qira në shfrytëzim, ndërsa më pas përmes mashtrimit i kishte paraqitur ato kinse i kishte sjellë nga jashtë vendit me qëllim të shitjes së tyre”, thuhet në njoftim.

Gjatë veprimeve hetimore, “policia ka arritur t’i lokalizojë dhe gjejë veturat në lokacione të ndryshme. Pas përfundimit të procedurave të nevojshme ligjore veturat do t’u kthehen pronarëve legjitimë”, vijon njoftimi.

Reklamë

Me aktvendim të prokurorit kompetent, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa ndaj tij janë iniciuar raste për veprën penale “Mashtrim”.