Inspektorati i Mjedisit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, ka ndërmarrë një aksion kontrolli në disa lokalitete të Malit Mokna në komunën e Istogut, me qëllim parandalimin e qarkullimit të pakontrolluar të automjeteve “off-road”.

Sipas njoftimit të bërë publik nga ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, kontrollet janë fokusuar në pikat e frekuentuara kryesisht nga përdoruesit e motoçikletave, si në Mokna, Lugun e Butë dhe Corrovodë.

Gjatë këtij inspektimi në terren, zyrtarët përgjegjës kanë evidentuar parregullsi, me ç’rast ndaj shkelësve janë shqiptuar vërejtjet përkatëse, në funksion të mbrojtjes së natyrës dhe respektimit të rregullave brenda zonës së mbrojtur të parkut kombëtar.

Reklamë

Postimi i saj i plotë:

Parqet tona kombëtare nuk janë pista për gara të automjeteve off-road!

Inspektorati i Mjedisit në bashkëpunim me Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” ishin sot në terren në disa lokalitete të Malit Mokna në Istog, përfshirë Moknën, Lugun e Butë dhe Corrovodën, në të gjitha zonat ku frekuentojnë përdoruesit e motoçikletave, me qëllim të parandalimit të qarkullimit të pakontrolluar të automjeteve off-road jashtë rrugëve të lejuara.

Qarkullimi i pakontrolluar i mjeteve motorike dëmton vegjetacionin, shkakton erozion të tokës, shqetëson kafshët e egra, ndot mjedisin përmes gazrave të shkarkimit, zhurmës dhe mbeturinave, si dhe cenon ekuilibrin natyror të këtyre ekosistemeve.

Vlerat natyrore të Moknës dhe të gjithë Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” duhet të mbrohen. Nuk do të lejojmë që zonat tona natyrore të shndërrohen në pista për gara të cilat dëmtojnë mjedisin.

Reklamë

Gjatë këtij aktiviteti janë shqiptuar vërejtje për shkeljet e evidentuara. Kontrollet nga inspektorati do të vazhdojnë, ndërsa ndaj shkelësve do të ketë masa ligjore.