Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, beson se është shumë e vështirë që një portier të fitojë sërish Topin e Artë, duke vlerësuar se pozita e tyre nuk merr vëmendjen e njëjtë me futbollistët ofensivë, pavarësisht paraqitjeve të mëdha gjatë sezonit.

Belgu, i cili konsiderohet ndër portierët më të mirë të gjeneratës së tij, foli për këtë çështje të hënën, duke përmendur edhe rastet e Manuel Neuerit dhe vlerësimin që mendon se duhej ta merrte në vitin 2022, kur Karim Benzema fitoi çmimin.

“Neuer ishte afër në vitin 2014 dhe përfundoi i treti. Mendoj se edhe në vitin tim, në 2022, prisja të renditesha më lart. Benzema e meritonte, por mendoja se duhej të isha më lart”, deklaroi Courtois.

Reklamë

Portieri i Real Madridit fitoi çmimin Yashin në vitin 2022, si portieri më i mirë i vitit, ndërsa në votimin për Topin e Artë përfundoi në vendin e shtatë, që mbetet renditja e tij më e mirë deri më tani.

“Dëgjon gazetarët të thonë se portierët e kanë çmimin Yashin. E kuptoj, është e vështirë. Mund të bëjmë një paraqitje të madhe, por pastaj Mbappe mund të shënojë në minutën e fundit të finales dhe kjo është e gjitha që njerëzit mbajnë mend”, u shpreh ai.

Courtois shtoi se portierët mund ta fitojnë Topin e Artë, por për këtë do të duhej një sezon pothuajse i përsosur, me trofe të mëdhenj dhe paraqitje të jashtëzakonshme, në një konkurrencë ku shumë futbollistë ofensivë shkëlqejnë.

“Një portier mund ta fitojë, por nuk jam i sigurt se çfarë sezoni do të duhej të bënte. Duhet t’i fitosh të gjitha, por ke pesë apo gjashtë lojtarë që po luajnë mirë. Kur jam në një ekip me Vinicius Juniorin, Jude Bellinghamin, Kylian Mbappen, Arda Gulerin, Yan Diomanden… si do të votojnë për mua?”, tha Courtois.”

Lev Yashin, në vitin 1963, mbetet i vetmi portier që ka fituar Topin e Artë në historinë 70-vjeçare të çmimit.

Reklamë

Pas tij, vetëm pesë portierë kanë arritur të përfundojnë në tri pozitat e para të votimit, me Manuel Neuerin si më të fundit, në vitin 2014.

Që nga triumfi i Fabio Cannavaros në vitin 2006, 17 nga 19 edicionet e Topit të Artë për meshkuj u janë dhënë futbollistëve ofensivë, statistikë që përforcon argumentin e Courtois për vështirësinë e portierëve për të fituar çmimin më prestigjioz individual në futboll.