Tifozët e skuadrës suedeze Djurgarden festuan humbjen e penalltisë të ekipit të tyre dhe disfatën e mëvonshme në një zhvillim të pazakontë të ngjarjeve të dielën.
Këtë fundjavë u zhvillua xhiroja e parafundit e Allsvenskanit, elitës së futbollit suedez, ku Djurgarden u përball me Sirius në Uppsala, skuadër që po lufton për titullin e kampionit.
Kjo ndeshje, e vlefshme për xhiron e 29-të të sezonit, kishte rëndësi të madhe në përcaktimin e titullit.
Sirius e nisi takimin me pikë të barabarta me Hammarbyn, e cila do të luajë të hënën kundër Goteborgut.
Në anën tjetër, Djurgarden renditet në vendin e tretë dhe ka ende gjasa të mira për të siguruar një vend në garat evropiane, por nuk është në garë për titullin.
Megjithatë, në një zhvillim të çuditshëm, tifozët e Djurgardenit në fakt dëshironin humbjen e skuadrës së tyre, pasi Sirius është në garë për titull me rivalin e tyre të përbetuar, Hammarby.
Dy skuadrat nga Stokholmi e ndajnë të njëjtin stadium, por kjo është pothuajse e vetmja gjë që i bashkon, pasi mes tyre ekziston një armiqësi e madhe.
Kjo armiqësi ishte aq e theksuar sa tifozët festuan edhe dështimin e një futbollisti të skuadrës së tyre nga pika e bardhë.
Kristian Lien, golashënuesi më i mirë i përbashkët i kampionatit, pati mundësinë ta kalonte skuadrën mysafire në epërsi që në minutën e 11-të, pasi Djurgarden fitoi një penallti.
Yesterday, Djurgarden fans celebrated after their own player missed a penalty..
Because it meant that their rivals Hammarby missed out on winning the league.
Pettiness you absolutely love to see! 😂 https://t.co/zB9hlr5JxH
Reklamë— Out of Context Football Manager (@nocontextfm1) November 23, 2026
Në kushte me borë, të cilat rrezikonin edhe ndërprerjen e ndeshjes, 25-vjeçari e dërgoi topin jashtë portës.
Por, në një veprim të pazakontë, shumë prej tifozëve mysafirë që qëndronin pas portës e festuan me brohoritje të mëdha humbjen e penalltisë.
Lien i hodhi poshtë kategorikisht sugjerimet se kishte gabuar qëllimisht nga pika e bardhë.
Matthias Nartey shënoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 43-të, ndërsa realizimi u festua nga të dyja tifozeritë.
Tifozët e Djurgardenit festuan sikur golin ta kishte shënuar skuadra e tyre, pasi dëshira për ta parë rivalin Hammarby duke humbur pikë ishte më e madhe sesa dëshira për fitoren e ekipit të tyre.
Sirius, që kohëve të fundit kishte humbur formën dhe kishte fituar vetëm një nga pesë ndeshjet e fundit, arriti ta ruante epërsinë deri në fund, duke marrë tri pikë jashtëzakonisht të rëndësishme për vazhdimin e garës për titull.
Megjithatë, Hammarby vazhdon ta ketë fatin në duart e veta, pasi një fitore ndaj Goteborgut të hënën në mbrëmje do ta rikthente në vendin e parë, falë goldallimit dukshëm më të mirë.
Futbollistët e Djurgardenit nuk e pritën aspak mirë sjelljen e tifozëve të tyre dhe vendosën të mos i duartrokisnin në fund të ndeshjes, duke shkaktuar një përçarje të madhe mes dy palëve.
Portieri Jacob Rinne ishte veçanërisht kritik ndaj tifozëve të skuadrës së tij, duke i akuzuar se nuk e përkrahën ekipin dhe madje mbështetën kundërshtarin.
“Sinqerisht, sot nuk e di për çfarë duhet t’i falënderojmë”, deklaroi ai për “Fotbollskanalen”.
“Është vërtet e trishtueshme, edhe pse e respektoj plotësisht mënyrën se si ndihen ata. Sot nuk ishin në anën tonë. Nuk e di për çfarë duhet t’i falënderojmë”, shtoi portieri.
Ai vazhdoi me kritikat: “Nëse udhëtoni deri në Uppsala, ndoshta duhet të vini këtu për të na përkrahur neve, në vend që të qëndroni aty duke festuar kur ne humbim një penallti ose kur shënon kundërshtari. Mendoj se atëherë më mirë do të ishte të festonit në shtëpi”.
Edhe kapiteni Adam Stahl kritikoi ashpër mentalitetin e tifozëve, duke pretenduar se ata në njëfarë mënyre po festonin dështimin e skuadrës së tyre.
“Ne nuk kemi mentalitetin e festimit të një humbjeje dhe kështu dukej se po vepronin ata. Nuk jemi të bashkuar. Ka një përplasje mes nesh. E kuptoj se si ndihen tifozët, por unë jam kapiteni i kësaj skuadre dhe dua ta udhëheq ekipin drejt fitores”, deklaroi ai.
Sirius nuk e ka fituar asnjëherë titullin e kampionit të Suedisë në historinë e klubit dhe tashmë ka nevojë për një hap fals të Hammarbyt në dy ndeshjet e fundit të sezonit, nëse dëshiron të shpallet kampion.
Ndërkohë, Djurgarden ka pikë të barabarta me Hackenin, që renditet në vendin e katërt, por gjendet përpara tij falë goldallimit më të mirë.