Familja e Liridona Ademajt ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila sot ka vërtetuar dënimet e shqiptuara nga Gjykata Themelore ndaj Naim Murselit dhe Granit Plavës.

Në reagimin e publikuar, vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj është shprehur se Naim Murseli dhe Granit Plava do të vdesin në burg.

“Naim Murseli dhe Granit Plava do të vdesin në burg. Shpresojmë që e njëjta gjë do t’i ndodhë edhe Kushtrim Kokallës.

Reklamë

Gjykata e Apelit sot i ka vërtetuar dënimet e shqiptuara nga Gjykata Themelore. Vajza dhe motra jonë, Liridona, nuk do të na kthehet. Fëmijët e saj do të rriten pa nënën e tyre, por na ngushëllon fakti që ky rast mori epilog edhe në nivel të Gjykatës së Apelit”, shkroi ai.

Ademaj tha se shpreson që vrasjeve të grave t’u vijë fundi dhe që Kosova të bëhet një vend më i sigurt për gratë.