Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka mbajtur një mbledhje të përbashkët me drejtuesit e qendrave të saj në Kosovë, ku është diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe përgatitjet për zgjedhjet e brendshme të subjektit.
Në këtë takim kanë marrë pjesë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sekretari organizativ Alim Rama, kryetarja e Kuvendit njëherësh drejtuese e Gratë për Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, si dhe koordinatori i Rinisë për Vetëvendosje, Libron Kelmendi.
Sipas njoftimit të LVV në Facebook, vëmendje e veçantë i është kushtuar procesit të zgjedhjeve të brendshme, të shpallura më 1 nëntor me vendim të Këshillit të Përgjithshëm.
LVV ka bërë të ditur se procesi duhet të përmbyllet brenda gjashtë muajve dhe tashmë ka hyrë në fazën e përgatitjeve intensive.
Në këtë kuadër, qendrat e partisë janë duke hartuar kalendarët zgjedhorë, duke përditësuar listat e anëtarësisë dhe duke ndërmarrë përgatitjet për organizimin e procesit.
Sipas Vetëvendosjes, zgjedhjet e brendshme synojnë ripërtëritjen e strukturave, përfshirjen e gjeneratave të reja dhe profesionistëve, si dhe zgjerimin e pjesëmarrjes në jetën politike dhe organizative të partisë.
Procesi zgjedhor pritet të zhvillohet në lagje dhe fshatra të komunave të ndryshme të Kosovës.