Penalltia e humbur nga Kylian Mbappe ndaj Celta Vigos ka rikthyer vëmendjen te një statistikë shqetësuese në karrierën e tij te Real Madrid. Sulmuesi francez po has vështirësi në ekzekutimin e penalltive në rastet kur skuadra e tij është në disavantazh.

Pavarësisht se Real Madrid arriti të përmbyste rezultatin dhe të fitonte 2-1 në Santiago Bernabeu, statistikat tregojnë një dallim të madh në përqindjen e realizimit të penalltive nga Mbappe, varësisht nga situata e ndeshjes.

Francezi ka shënuar 22 nga 28 penalltitë e ekzekutuara për Real Madridin, por përqindja e suksesit të tij bie në vetëm 42.86 për qind kur skuadra është duke humbur.

Reklamë

Dështimi i fundit ndodhi ndaj Celta Vigos, pasi Pablo Duran kishte kaluar mysafirët në epërsi në minutat e para të ndeshjes.

Mbappe pati mundësinë ta barazonte rezultatin nga pika e bardhë në minutën e 39-të, por goditja e tij përfundoi mbi traversë.

Më pas, Jude Bellingham barazoi rezultatin, para se lojtari i inkuadruar nga banka rezervë, Carlos Espi, të shënonte golin e fitores në minutën e 85-të, duke e shpëtuar francezin nga një pasdite që mund të ishte shumë e kushtueshme për të.

Statistikat e penalltive zbulojnë një prirje shqetësuese te Mbappe

Kur Real Madrid është në epërsi: 8/10

Reklamë

Kur Real Madrid është në barazim: 11/11

Kur Real Madrid është në disavantazh: 3/7

Në shikim të parë, statistikat e përgjithshme të Mbappes sugjerojnë se ai është një ekzekutues i besueshëm i penalltive te Real Madrid.

22 penallti të realizuara nga 28 gjithsej përkthehen në një përqindje suksesi prej 78.57 për qind. Megjithatë, rrethanat në të cilat janë ekzekutuar këto penallti tregojnë një tjetër histori.

Reklamë

Kur Real Madrid është në epërsi, Mbappe ka shënuar tetë nga dhjetë penalltitë e tij, me një përqindje suksesi prej 80 për qind. Kur rezultati është i barabartë, bilanci i tij është edhe më mbresëlënës: 11 penallti të realizuara nga 11 të ekzekutuara.

Dallimi vërehet kur Real Madrid është duke humbur. Në këto raste, Mbappe ka shënuar vetëm tri nga shtatë penalltitë e tij, duke e çuar përqindjen e suksesit në 42.86 për qind.

Kjo shifër, e cila është nën pragun e 50 për qindëshit, tregon se vështirësitë e tij janë veçanërisht të theksuara në momentet kur skuadrës i nevojitet një penallti e realizuar për të nisur përmbysjen e rezultatit.

Vlen të theksohet se penalltia e fundit e humbur nuk ishte një rast i izoluar. Mbappe kishte dështuar nga pika e bardhë edhe ndaj Real Betisit më 4 shtator, kur madrilenët ishin në disavantazh 0-1.

Reklamë

Ndryshe nga ndeshja me Celta Vigon, ai gabim rezultoi shumë më i kushtueshëm, pasi Real Betis arriti t’i merrte të tri pikët.

Që nga transferimi te Real Madrid, francezi ka arritur të shënojë penallti në tri raste kur Los Blancos ishin në disavantazh.

Këto ndodhën ndaj Las Palmas dhe Marseille në Bernabeu, si dhe në ndeshjen si mysafir kundër Gironas.

Katër penalltitë e tjera që duhej ta barazonin rezultatin, Mbappe i humbi ndaj Celta Vigos, Betisit, Athletic Club dhe Liverpoolit. Kjo do të thotë se ai ka humbur më shumë se gjysmën e penalltive të ekzekutuara në përpjekje për ta barazuar rezultatin për Real Madridin.

Reklamë