Në hapje të fushatës së “16 Ditëve të Aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”, Grupi i Grave Deputete organizoi Asamblenë e Grave Parlamentare dhe Asambliste, me temën “Të sigurojmë drejtësi, të mbrojmë të mbijetuarat dhe t’i japim fund pandëshkueshmërisë”.

Në këtë aktivitet, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, vuri në pah rëndësinë e zbardhjes së plotë të vrasjes së Arlinda Zekës, përcaktimin e përgjegjësisë institucionale për dështimin në mbrojtjen e saj, si dhe luftimin e dhunës dhe gjuhës seksiste ndaj grave.

Haxhiu theksoi se dhuna ndaj grave nuk mund të trajtohet si çështje private, pasi mbrojtja e tyre është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit. Ajo rikujtoi rastin e Arlinda Zekës, e cila kërkonte të kthehej në shtëpinë e saj, por që, pavarësisht vendimit të gjykatës dhe pranisë së policisë, nuk arriti të mbrohej.

Reklamë

Ajo kërkoi zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj vrasjeje, duke përfshirë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve përgjegjëse, në mënyrë që të përcaktohet se ku dështoi zinxhiri institucional i mbrojtjes dhe kush duhet të mbajë përgjegjësi.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se siguria e grave duhet të garantohet në të gjitha hapësirat, jo vetëm në shtëpi, por edhe në rrugë, në transportin publik, në vendet e punës dhe në hapësirat publike e virtuale, ku gratë dhe vajzat vazhdojnë të përballen me kërcënime, ngacmime seksuale dhe poshtërime.

Në këtë drejtim, Haxhiu vlerësoi rëndësinë e angazhimit të komunave për krijimin e hapësirave të sigurta për gratë, duke veçuar ndriçimin e rrugëve, transportin publik, sigurinë në hapësirat e përbashkëta, si dhe mbështetjen për shërbimet sociale dhe strehimoret.

Ajo gjithashtu bëri të ditur se ka nisur procesi i hartimit të Agjendës Parlamentare për Çështjet e Grave dhe Barazinë Gjinore 2027–2030, të cilin ka vendosur ta fillojë përmes takimeve me asambleistet dhe organizatat e grave në shtatë rajonet e Kosovës.

Një pjesë të fjalës së saj Haxhiu ia kushtoi edhe trajtimit të grave në jetën publike dhe në politikë, duke theksuar se ato vazhdojnë të përballen me fyerje dhe sulme seksiste që lidhen me pamjen, trupin, moshën dhe jetën private.

Reklamë

Ajo u zotua se gjatë drejtimit të Kuvendit nuk do të tolerojë gjuhën seksiste dhe poshtëruese në debatet parlamentare, pavarësisht përkatësisë partiake të deputetëve. Po ashtu, theksoi nevojën që kodi etik të përcaktojë qartë përgjegjësitë dhe pasojat për sjellje të tilla, duke kërkuar që ky standard të zbatohet edhe në kuvendet komunale.

Në përfundim, Haxhiu nënvizoi se parandalimi i dhunës me bazë gjinore dhe mbrojtja e të drejtave të grave kërkojnë angazhim të vazhdueshëm dhe përgjegjësi konkrete nga të gjitha nivelet institucional