Vetëm një seancë 20-minutëshe e aktivitetit fizik mund të aktivizojë menjëherë qarqet nervore të trurit që lidhen me kujtesën dhe të mësuarit, sipas një studimi të ri të realizuar nga shkencëtarët e Universitetit të Iowa-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zbulimi, për të cilin shkruan revista britanike BBC Science Focus, ofron një shpjegim të mundshëm biologjik se përse njerëzit shpesh ndihen mendërisht më të kthjellët pas aktivitetit fizik.

Studiuesit monitoruan aktivitetin e trurit të 14 personave para dhe pas një seance 20-minutëshe pedalimi me ritëm të qëndrueshëm.

Reklamë

Pjesëmarrësit kishin elektroda të implantuara në tru për qëllime mjekësore që lidheshin me epilepsinë, duke u mundësuar shkencëtarëve të regjistronin drejtpërdrejt aktivitetin elektrik të trurit.

Çfarë ndodh në tru pas aktivitetit fizik?

Pas ushtrimeve, studiuesit konstatuan një shtim të shpërthimeve të shkurtra të aktivitetit elektrik me frekuencë të lartë, të njohura në neuroshkencë si “ripples”.

Këto sinjale lindnin në hipokampus, një strukturë e trurit që luan rol qendror në kujtesë, dhe përhapeshin drejt rajoneve të përfshira në përvetësimin dhe rikujtimin e informacionit.

Neuroshkencëtarët prej kohësh i lidhin këto sinjale me konsolidimin e kujtimeve. Por, sipas BBC Science Focus, kjo është hera e parë që shtimi i tyre është dokumentuar drejtpërdrejt te njerëzit menjëherë pas ushtrimeve fizike.

Reklamë

Rezultatet sugjerojnë se aktiviteti fizik mund ta vendosë trurin në një gjendje më të favorshme për të mësuar.

Megjithëse eksperimenti u zhvillua te pacientët me epilepsi, studiuesit vlerësojnë se mekanizma të ngjashëm mund të ekzistojnë edhe te njerëzit e shëndetshëm.

Aktiviteti fizik ndihmon edhe në mirëmbajtjen e qelizave nervore

Hulumtime të mëparshme kanë treguar se ushtrimet mund të përmirësojnë përqendrimin, funksionet ekzekutive të trurit dhe gjendjen emocionale.

Reklamë

Aktiviteti fizik gjithashtu nxit prodhimin e një proteine të njohur si BDNF, e cila mbështet mbijetesën e neuroneve dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet tyre.

Kjo proteinë shpesh përshkruhet në mënyrë figurative si ushqyes për trurin, për shkak të rolit të saj në plasticitetin nervor, procesin përmes të cilit truri përshtatet dhe ndryshon në përgjigje të përvojave të reja.

Përfitimet fillojnë edhe me pak aktivitet

Studime të tjera, që kanë ndjekur qindra mijëra njerëz për periudha të gjata, tregojnë se përfitime të konsiderueshme shëndetësore arrihen kur personat fizikisht joaktivë fillojnë të ushtrohen rregullisht, edhe me intensitet të moderuar.

Reklamë

Aktiviteti fizik lidhet me rrezik më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit të tipit 2, demencës, depresionit dhe disa llojeve të kancerit.

Studimi i Universitetit të Iowa-s sugjeron se, përveç përfitimeve afatgjata, disa ndryshime në aktivitetin e trurit mund të shfaqen pothuajse menjëherë pas ushtrimeve.

Megjithatë, nevojiten hulumtime më të gjera për të përcaktuar se në çfarë mase ndryshimet elektrike të vëzhguara përkthehen në përmirësim konkret të kujtesës dhe aftësisë për të mësuar.