Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Bashkimi Evropian synon t’i japë Ballkanit Perëndimor qasje në më shumë përfitime të tregut të përbashkët evropian edhe para anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE.
Pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel, von der Leyen ka thënë se zgjerimi është një “imperativ strategjik” për Evropën dhe se aktualisht ekziston një momentum real për avancimin e procesit të integrimit.
“Ne duam t’i japim Ballkanit Perëndimor qasje në më shumë përfitime të tregut tonë të përbashkët përpara anëtarësimit”, ka thënë von der Leyen në një konferencë për media, duke shtuar se BE-ja po hap sektorë të caktuar për vendet e rajonit, ndërsa ato zbatojnë reforma për krijimin e kushteve të barabarta të konkurrencës.
Ajo theksoi se ky proces shoqërohet edhe me financime nga Bashkimi Evropian dhe përmendi si shembuj konkretë përfitimet që qytetarët e Ballkanit Perëndimor tashmë po i marrin përpara anëtarësimit. Sipas saj, katër partnerë të rajonit janë tashmë pjesë e SEPA-s, e cila mundëson transfere më të shpejta dhe me kosto më të ulët.
Von der Leyen u shpreh gjithashtu se po bëhet progres në zgjerimin e marrëveshjes të roamingut, ndërsa negociatat kanë nisur me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.
Ajo bëri të ditur se në fillim të vitit të ardhshëm BE-ja planifikon të nisë dialogë për integrimin gradual me secilin prej partnerëve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim identifikimin e mundësive të reja për përfshirjen e tyre në tregun e përbashkët evropian.
Presidentja e Komisionit Evropian foli edhe për zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Sipas saj, përmbushja e hapave të reformave nga vendet e rajonit është rritur nga 38 për qind një vit më parë në 63 për qind këtë vit.
Von der Leyen deklaroi se këto reforma mund të zhbllokojnë edhe 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në javët e ardhshme.
Ajo theksoi se krahas afrimit me BE-në, rëndësi të veçantë ka edhe afrimi ekonomik mes vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përmendur rritjen e tregtisë rajonale, njohjen e kualifikimeve, roamingun rajonal dhe “korsitë e gjelbra” për lehtësimin e tregtisë.
“Ballkani Perëndimor duhet gjithashtu të afrohet më shumë me njëri-tjetrin”, ka deklaruar von der Leyen, duke shtuar se suksesi i zgjerimit në fund do të matet nga ndryshimet konkrete në jetën e qytetarëve.
Sipas saj, qëllimi është që qytetarët të kenë më shumë mundësi, të rinjtë më shumë perspektivë, ndërsa bizneset të mund të rriten dhe të tregtojnë më lehtë përtej kufijve.
Në samitin BE – Ballkani Perëndimor, Kosova u përfaqësua nga kryeministri Albin Kurti.