Kryeministri Albin Kurti sërish ka bërë përgjegjëse komunat për arsim të dobët dhe se kjo është arsyeja pse po ka migrim të qytetarëve, qoftë brenda vendit nga qytetet tjera drejt Prishtinës e Fushë Kosovës, qoftë jashtë vendit.
Por, s’ishin vetëm komunat objekt i kritikës së Kurtit. Ai tha se ka shumë “padrejtësi” në sistemin e drejtësisë, ndërsa për prokurori tha se edhe ajo “ende” s’i afrohet standardeve të BE’së.
“Problemi themelor që e kemi me arsimin është decentralizimi i tij. Ky decentralizim i skajshëm nëpër komuna, ku shpeshherë nuk ka mirëqeverisje, ka bërë që të ketë dyndje edhe të brendshme edhe të jashtëm, por ardhje edhe drejt Prishtinës dhe Fushë Kosovës. Ju e keni parë sot se Fushë Kosova sot është komunë më e madhe se Peja e Gjakova. Pse ka ndodhë kjo? Kjo ka ndodhë se për shkak të rritjes ekonomike, klasa e mesme në Kosovë nuk dëshiron që fëmijët e tyre në zona rurale të ngelen në atë arsim që fatkeqësisht, për shkak të decentralizimit, lëngon nga cilësia. Nuk po them gjithkund, por jo në pak vende”.
Kurti tha se ka nevojë që të vijë brezi i dytë dhe i tretë i bashkatdhetarëve për t’i dhënë hov përparimit të vendit me ekspertizën e tyre të fituar në vendet perëndimore.
“Prandaj arsimi dhe cilësia janë sfidat tona kryesore. Kemi nevojë për ardhje të bashkatdhetarëve, kemi nevojë për një hov përpara. Jam i bindur që njerëzit nuk e lëshojnë Kosovën për shkak të vendit të punës, nuk e lëshojnë Kosovën për shkak se nuk ka siguri apo mbrojtje, por për shkak të cilësisë së arsimit në zonat rurale së pari, meqenëse është i decentralizuar. Dhe në anën tjetër për shkak të sistemit të drejtësisë ku ka aq shumë padrejtësi dhe përgjithësisht ende kemi prokurori, e cila s’është as për së afërmi standardeve të BE’së ku ne synojmë të anëtarësohemi”.