Një anije cisternë që transportonte deri në 7 000 tonë naftë është përmbysur pranë bregdetit të Ibizës, duke lënë të vdekur një anëtar të ekuipazhit, bënë të ditur autoritetet, raporton BBC.
“Med Emre”, një anije që lundron nën flamurin e Maltës, kishte në bord 17 anëtarë të ekuipazhit, të cilët u shpëtuan të gjithë. Megjithatë, shtatë prej tyre u dërguan në spital dhe njëri u shpall më vonë i vdekur, konfirmuan shërbimet e emergjencës të Ishujve Baleare.
Sipas mediave spanjolle, gjashtë anëtarët e ekuipazhit që po marrin trajtim mjekësor kanë pësuar lëndime të lehta, si hipotermi.
Dëmi i mundshëm mjedisor po vlerësohet nga një avion dhe nga anija spanjolle për kontrollin e ndotjes, “Clara Campoamor”, e cila është në pronësi të shërbimit kombëtar të shpëtimit detar të vendit.
“Ka ende pak informacion në dispozicion lidhur me një derdhje të mundshme të karburantit,” shkroi në platformën X presidentja e Ishujve Baleare, Marga Prohens.
Drejtori rajonal i emergjencave, Pablo Gárriz, deklaroi se anija nuk ishte fundosur plotësisht, siç ishte raportuar fillimisht. Megjithatë, ajo mbetet pjesërisht e zhytur në ujë.
Kjo i ka bërë kushtet më të favorshme për kryerjen e operacioneve të rimëkëmbjes, tha ai, “pasi kemi kaluar nga mundësia që anija të ndodhej në një thellësi prej 1 000 metrash, në një situatë që lejon kryerjen e operacioneve në sipërfaqe”.
“Med Emre” u përmbys 25 milje detare (46 km) larg bregdetit të Ibizës dhe 57 milje detare larg Valencias. Nuk është ende e qartë se çfarë e shkaktoi fundosjen.
Anija cisternë po udhëtonte nga Algeciras, në Spanjën jugore, drejt Barcelonës, në verilindje të vendit.