Ushtruesi i detyrës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Çupiç, ka qenë i vetmi lider që nuk e ka nënshkruar deklaratën e përbashkët në samitin e 15-të të Procesit Brdo-Brioni, i cili u mbajt sot në Ohër.
Këtë e ka bërë të ditur presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila tha se Çupiç kishte dhënë si arsye mungesën e legjitimitetit për ta nënshkruar dokumentin.
Megjithatë, sipas saj, ushtruesi i detyrës së presidentit serb është pajtuar me të gjitha parimet e përfshira në deklaratën e miratuar.
Në konferencën e përbashkët për media me presidentët e Kroacisë dhe Sllovenisë, pas përfundimit të samitit, Siljanovska-Davkova tha se takimi i sotëm kishte dalluar nga samitet e mëparshme, ku kishte pasur mjaft probleme për miratimin e çështjeve dhe deklaratave të caktuara.
“Edhe pse u pajtua me të gjitha parimet e deklaratës së miratuar, zoti Çupiç ishte sot i vetmi që tha se nuk mund ta nënshkruante, se nuk mund të qëndronte hapur pas saj, sepse legjitimiteti i tij konfirmohet në një mënyrë tjetër”, deklaroi Siljanovska-Davkova.
Çupiç mori pjesë në samitin e Procesit Brdo-Brioni në Ohër, ku u mblodhën liderë të vendeve të rajonit për të diskutuar bashkëpunimin rajonal dhe procesin e integrimit evropian. Në Ohër ka qenë edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula.