Një biznesmen nga Kosova, ka dhuruar gjatë një spektakli televizive në Shqipëri, një shtëpi në Kavajë për familjen e dëshmorit Indrit Cara, i njohur si “Ushtarë Kavaja”, shkruan Reporteri.net
Çelësat e shtëpisë së re, biznesmeni nga Suhareka Shaqir Palushi ia ka dorëzuar Lulëzim Caras në emisionin “Dua të të bëj të Lumtur”.
Para këtij momenti, babanë e dëshmorit nga Shqipëria i rënë gjatë luftës në Kosovë, në të njëjtin program televiziv e ka surprizuar edhe një bashkëluftëtar i “Ushtar Kavajës”, ish-komandanti i UÇK-së Besim Gashi, përcjellë Reporteri.net.
Indrit Cara i njohur si “Ushtarë Kavaja” kishte lindur në Kavajë ku edhe kishte përfunduar shkollën e mesme, dhe më pas kishte vazhduar studimet e larta për officer. Pas rënies së diktaturës në Shqipëri, si shumë shqiptarë Indriti kishte emigruar në Angli për një jetë më të mirë. Gjatë kohës që punonte në Angli ishte njohur me disa shqiptarë të Kosovës dhe kur lufta kishte nisur, Indriti kishte vendosur që t’i bashkohej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ushtarë Kavaja” ka rënë dëshmorë më 31 Mars 1999, në Malin Gallusha në Kosovë, si ushtar i brigadës së 139-të të UÇK-së dhe pjesëmarrës në betejën e njohur të Kosharës.
Ish-Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, në vitin 2009 ka dekoruar dëshmorin Cara me medaljen e lirisë “Adem Jashari” për trimëri në luftime.
Indrit Cara është i shpallur edhe qytetar nderi i vendlindjes së tij, Kavajë dhe një rrugë në këtë qytet sot mbanë emrin e tij. /Reporteri.net/.