Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, vazhdon ta kundërshton ashpër idenë e presidentit Thaçi për korrigjim të kufirit me Serbinë, duke thënë se kufijtë e Kosovës janë të panegociueshëm dhe se pavarësia e Kosovës është një proces i mbyllur.
“Ne jemi kundër idesë destabilizuese për ndryshim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi kufijtë u vendosën më 17 shkurt 2008, ashtu siç u konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e njohur nga 116 vende të botës. Mosnjohja e këtyre kufijve jo vetëm që do të destabilizonte Kosovën, por edhe tërë rajonin e Ballkanit, me një efekt ‘Domino’, që mund të përdoret si precedent edhe nga vendet nëpër botë për të justifikuar aneksimet e tyre të paligjshme. E gjithë qeveria kosovare është kundër këtyre ideve të rrezikshme”, ka potencuar Osmani në këtë intervistë për agjencinë e lajmeve ‘Nova’, transmeton Express.
Sipas saj kufijtë nuk mund të ndryshohen po gjakderdhje, dhunë e spastrim etnik
“Deklarimi i pavarësisë së Kosovës është i pakthyeshëm dhe kufijtë e saj nuk mund të jenë subjekt i negociatave: ky është vizioni i të gjitha partive politike në Kosovë, prandaj ne jemi kundër ndryshimit të kufijve. Serbia duhet të ulet në tryezë dhe njohja e ndërsjellë duhet të jetë qëllimi përfundimtar përderisa ata nuk do të jenë në gjendje të hyjnë në BE Kapitulli 35 parashikon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe kjo nuk mund të ndodhë pa njohje të ndërsjellë. Marrëveshja që përfshin ndryshimin e kufijve do të çonte në destabilizim në Ballkan, me gjakderdhje, pasi fatkeqësisht kufijtë nuk ndryshojnë pa dhunë apo spastrim etnik”, ka vazhduar ajo.
Ajo ka folur edhe për atë se janë zhvilluar negociata sekrete ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq.
“Kosova është demokraci parlamentare dhe nëse presidenti ose dikush tjetër dëshiron të gjejë një marrëveshje të fshehtë, ai duhet të dijë se nuk do të pranohet nga parlamenti dhe më e rëndësishmja do të refuzohet nga populli i Kosovës. Më mirë është të mos ketë fare marrëveshje, se sa të arrihet një marrëveshje e keqe”, ka deklaruar ajo.
Ndërsa ka folur për dialogun Kosovë-Serbi, Osmani ka pohuar se BE-ja duhet të ketë një rol konstruktiv sa i përket arritjes së marrëveshjes, duke shtuar se pa përfshirjen e SHBA-së dhe BE-së, dialogu nuk mund të vazhdojë.
Sipas saj Kosova dëshiron që të bëhet anëtare e BE-së, por thekson faktin se sa kapituj i janë hapur Serbisë dhe sa Kosovës, duke e quajtur një gjë të tillë si pabarazi dhe padrejtësi.
“Nuk ka kuptim që të hapen 22 kapituj për Serbinë, dhe vetëm dy për Kosovën”, ka thënë Osmani.