×
  • Lajme
  • Lajme

    Hallakama MASHT-SBASHK për kompensimin e orëve të humbura: Pse zgjidhja duket larg

    Reporteri
    01 Prill 2019 | 22:42

    Ndërsa do të duhej të “luftonin” për përmirësimin e cilësisë në arsim që është një shqetësim i madh, Ministria e Arsimit dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK) ka ditë që përplasen mes vete nëse duhet apo jo të kompensohen orët që u humbën në grevën tre javëshe që kërkesë kishte rritjen e pagave.


    Se po ndodh një hallakamë e madhe e tregojnë edhe deklarimet e fundit mes ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyqi dhe kreut të SBASHK-ut Rrahman Jashari, transmeton Reporteri.net.

    Ndërsa i pari paralajmëron se së shpejti do arrihet një marrëveshje me SBASHK-un për kompensim të orëve, i dyti mbetet kategorik se nuk do ndodh kjo, për më tepër “kërcënon” me rikthim të grevës së përgjithshme.

    “Besoj se shumë shpejt do të kemi një marrëveshje të përbashkët me SBASHK-un. As nuk e vë në dyshim. Unë nuk punoj me inate. Kur e shoh që një palë është e interesuar të jetë palë bisedimesh, jam i gatshëm të ulem me ta. Në këtë formë do të jemi në takim edhe me SBASHK-un dhe do ta gjejmë zgjidhjen”, ka deklaruar ministri i Arsimit për Dukagjinin.

    Por krejt tjetër gjë ka thënë kreu i SBASHK-ut, i cili ka deklaruar se “këtë vit shkollor nuk do të ketë kompensim të orëve të humbura as gjatë pushimit pranveror dhe as të shtunave, por as në fund të vitit shkollor”.

    Kujtojmë se për këtë çështje Kuvendi i Kosovës mbajti seance të jashtëzakonshme më 28 mars me kërkesë të 42 deputetëve.

    Pas diskutimeve të shumë deputetëve foli edhe kryeministri Ramush aradinaj, i cili doli pro kompensimit të orëve të humbura.

    “Ne duhet të ndalemi dhe t’i kërkojmë sindikatës me respekt t’i kompensojmë orët e humbura. Sindikata ka mirëkuptim t’i kompensojmë orët e humbura pasi është në interesin e mësimdhënësve e edukatorëve”, tha Haradinaj.

    Në përfundim të kësaj seance të jashtëzakonshme deputeti I NISMA-s Bilall Sherifi, i cili në emër të 42 deputetëve iniciues bëri arsyetimin e thirrjes së kësaj seance prezantoi rezolutën e deputetëve iniciues për seancën e sotme e cila fton SBAShK-un që gjatë kësaj jave të gjejë mënyrën për kompensimin e orëve të humbura. Për shkak të mungesës së kuorumit drejtuesi i seancës e deklaroi të mbyllur këtë seancë.

    Ndërsa përplasja vazhdon, janë nxënësit dhe mësimdhënësit që e pësojnë në gjithë këtë “lojë”pasi që nuk kanë një informatë të qartë nëse do kompensohen apo jo orët e humbura.

    Kujtojmë se çështja e kompensimit të orëve të humbura mësimore gjatë grevës së mësimdhënësve ka mbërritur edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës (SBASHK) ka dorëzuar padi ndaj vendimit të ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyçi, i cili përmes një vendimi ka kërkuar kompensimin e këtyre orëve.

    Vendimi i ministrit Bytyqi ka hyrë në fuqi në fillim të muajit mars, por ai nuk është respektuar nga shumica e shkollave fillore dhe ato të mesme. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!