Përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë, Christian Panucci ka reaguar pas raportimit të mediave italiane të cilat prej ditësh e lidhin me një kalim te skuadra e Romës, pasi kjo e fundit e shkarkoi nga puna trajnerin Eusebio Di Francesco.
Ish-futbollisti i famshëm italian ka mohuar kontaktet me klubin romak.
“Roma nuk më ka kontaktuar kurrë. Kam dëgjuar zëra, por jo kontakt nga klubi. Cluadio Ranieri (trajneri i ri i romakëve) e njeh shumë mirë mjedisin, ai është një romak”, ka deklaruar Panucci për Corriere dello Sport.
“Ranieri mund të jetë një mjek i mirë për Romën, ka një përvojë të madhe. Nuk do të jetë e lehtë, Roma ka cilësinë e duhur për të marr vendin e katërt, por ka nevojë për punë”, tha Panucci, transmeton Reporteri.net.
Panucci më tej ka pohuar se ai është i fokusuar vetëm te Shqipëria.
“Jam shumë i lumtur këtu, deri në nëntor kam një kontratë me një federatë shumë serioze, më pas nuk i dihet. Është një punë që më pëlqen shumë, tani jam fokusuar vetëm në aventurën e Kualifikueseve të Evropianit, pjesa tjetër nuk më intereson”, ka deklaruar Panucci.
Kujtojmë se Shqipëria në muajin mars do të luajë dy ndeshjet e para kualifikuese për EURO 2020, ndaj Turqisë dhe Andorrës. /Reporteri.net/