Rreth dy orë e gjysmë ka qëndruar në arrati Alfred Gjugja, deri kur u kap nga Policia e Kosovës, si i dyshuar për vrasjen dhe plagosjen që ndodhi një ditë më parë në fshatin Marmull të Gjakovës. I dyshuari, fillimisht u ka pranuar policisë se kreu krimin në fjalë, por më vonë, para prokurorit ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.
Alfred Gjugja nga fshati Marmull të Gjakovës, me tu arrestuar mbrëmë si i dyshuar për vrasjen e fqinjit të tij dhe plagosjen e një tjetri, fillimisht ka pranuar se ai ishte dorasi. Por, ai ka ndryshuar deklaratën e tij më të mbërritur avokati i tij Ndrecë Dodaj, shkruan Reporteri.net.
Gjugja, më pas nuk ka pranuar të flasë para hetuesve dhe prokurorit për ngjarjen që ndodhi të hënën rreth orës 18:30, në fshatin Marmull, pak kilometra larg qytetit të Gjakovës.
Se klienti i tij ka mundur tu pranojë fajësinë zyrtarëve policorë që kryen arrestimin, nuk e ka mohuar as avokati i tij.
Por, Ndrecë Dodaj thotë se çfarëdo bisede që ka mundur ta bëjë klienti i tij me zyrtarë policorë apo hetues tjerë pa praninë e tij, nuk mund të merren parasysh e as të përdoren si prova.
“Sa kam qene unë ai është mbrojt në heshtje”, tha avokati Dodaj për Reporteri.net, përmes telefonit.
“Gjitha bisedat tjera nuk janë prova, dhe nuk kanë relevancë në procedurë të më tutjeme”, shtoi avokati nga Gjakova.
Ndërkohë, për të dyshuarin Alfred Gjugja Prokuroria Themelore e Gjakovës ka kërkuar mbajtje për 30 ditë në paraburgim. Vendimin për këtë pritet të merret më së largu deri të enjten nga Gjykata Themelore e Gjakovës.
Gjugja, po dyshohet se të martën vrau me armë automatike fqinjin e tij, Tunë Bezhin. Ngjarja ndodhi në shtëpinë e A.N., i cili mbeti i plagosur nga ky rast.
Krejt kjo po dyshohet se ka ndodhur për shkak të një konteksti pronësorë mes palëve, shkruan Reporteri.net.
Burime të Reporteri.net brenda autoriteteve të sigurisë në Gjakovë thanë se personi i plagosur, gjendja e të cilit është stabile, kishte provuar të parandalonte krimin. I njëjti sipas dyshimeve të para nuk ka qenë cak i sulmit.
Policia, pak pasi ndodhi krimi, fillimisht ka shoqëruar në stacion babin e të dyshuarit. I njëjti më pas është liruar, pas disa orëve, kur edhe është kapur i dyshuari kryesorë për vrasjen e mbrëmshme.
Alfred Gjugja u arrestua të martën rreth orës 21:00. Siç ka njoftuar policia, atij në momentin e arrestimit iu gjet edhe arma me të cilën dyshohet se kreu vrasjen dhe plagosjen në fshatin e tij. /Reporteri.net/.