Ish-shefi i inteligjencës së FSK-së, Salih Mustafa, është arrestuar.
Këtë e kanë konfirmuar për Gazetën Online “Reporteri.net” zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Ibrahim Shala, por pa dhënë detaje se si ka ndodhur arrestimi.
“Po e konfirmojmë arrestimin e zotit Sali Mustafa zyrtar civil në Ministrinë e Mbrojtjes. Si Ministri e Mbrojtjes ende nuk kemi informacion zyrtar. Jemi në pritje të njoftimit zyrtar për shkaqet e arrestimit. Kur do ta kemi informacion shtesë do të ju njoftojmë me kohë”, ka thënë ai.
Salih Mustafa ishte intervistuar nga hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, nëntorin e kaluar.
Por, kush është Salih Mustafa?
Mustafa ishte pjesë e organizimit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim prej vitit 1988.
Mustafa ishte arrestuar nga regjimi i Millosheviqit në vitin 1993 dhe ishte dënuar me 5 vite burg për organizim të kryengritjes.
E në vitin 1997 Mustafa ishte angazuar për organizim e shtrirje të UÇK-së në Prishtinë, Obiliq, Gjilan, Viti e Kamenicë.
Më pas kishte udhëhequr njësitin gueril të UÇK-së me emrin BIA derisa ishte themeluar Zona Operative e Llapit dhe Karadakut.
Mustafa gjithashtu ishte një nga themeluesit e LKQK-së, ndërsa pas përfundimit të luftës vazhdoi misionin për ndërtim të institucioneve shtetërore.
Mustafa ishte shef i departamentit informativ të TMK-së e më pastaj këshilltar për Inteligjencë i Agim Çekut, sa ishte Kryeministër. /Reporteri.net/.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.