Autor: Mirlind Behluli
Në prill të këtij viti, pak pasi mori për herë të dytë pushtetin, Qeveria e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Grupin për Ballkan dhe Ambasadën e Norvegjisë për angazhimin e ekspertëve në procesin e dialogut. Grupi prej gjashtë anëtarëve, nuk dihet nëse kanë punuar ndonjë dokument, hartuar raporte apo nëse ofruan këshilla për Qeverinë Kurti II për dialogun me Serbinë të lehtësuar nga Brukseli.
Qeveria Kurti II nuk ka komentuar në pyetjen e Gazetës Online “Reporteri.net” në lidhje me këshillëdhënien rreth Dialogut, përgjatë katër muajve, nga nënshkrimi i memorandumit të Grupit të Ekspertëve.
Kabineti i Kurtit e ka orientuar gazetën që për çështjen e Grupit të Ekspertëve, në të cilin bëjnë pjesë Veton Surroi, Blerim Shala, Bernard Nikaj, Leon Malazogu, Robert Muharremi dhe Muhamet Mustafa, të kontaktojnë Zyrën e Zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili është i ngarkuar për dialog.
Zyra e zëvendëskryeministrit për Integrim Evropian, Zhvillim e Dialog nuk ka kthyer përgjigje, ndonëse Gazeta Online Reporteri.net ka përsëritur disa herë pyetjet e njëjta, përfshirë edhe nëse dyshi i Qeverisë Kurti ka takuar ekspertët që paguhen nga Ambasada Norvegjeze në Prishtinë për këshillim të ekzekutivit kosovar rreth dialogut me Serbinë.
Të njëjtat pyetje, gazeta ia ka shtruar edhe Grupit për Ballkan, organizatës që propozoi emrat e ekspertëve.
Naim Rashiti, drejtor ekzekutiv i Grupit për Ballkan, në një deklarim për Gazetën Online Reporteri.net, tha se grupi punon ngushtë me Qeverinë dhe se Zyra e Bislimit është institucioni përgjegjës për përgjigjet në pyetjet e parashtruara.
“Ekipi punon ngushtë me Qeverinë prej fillimit dhe ne nuk i dimë dhe nuk duam t’i dimë detajet. Ata kanë dinamikën e tyre të punës që e cakton ZKM Besnik Bislimi dhe ne si Grup për Ballkan nuk jemi të përfshirë. Për të gjitha këto pyetje, vetëm ZKM Bislmi mund të ketë përgjigje. Sipas marrëveshjes dhe projektit, Grupi për Ballkan mbështet dhe angazhon ekspertët, por ata i japin përgjegjësi përfituesit”, tha Rashiti për Reporteri.net.
Kujtojmë që ekspertët e angazhuar do të këshillojnë Qeverinë Kurti për një periudhë 3 vjeçare me synim forcimin e institucioneve të Kosovës dhe avancimit të konsolidimit të saj shtetëror.
Së fundmi, njëri nga anëtarët e këtij gurpi ekspertësh ka aderuar në PDK, partinë opozitare që kundërshtonë Qeverinë e Kryeministrit Kurti. Fjala është për Bernard Nikajn, ish ambasadorin e Kosovës në Bruksel, që tash është pjesë e Kryesisë së re të PDK-së.
Ndryshe, shoqëria civile ka kritikuar Qeverinë Kurti për mungesë të transparencës në dialogun Kosovë-Serbi duke konsideruar të nevojshme raportimin më të mirë për kapitullin e ri dialogues në Bruksel.
Deri më tani në Bruksel janë mbajtur dy takime ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, të cilat u përshkruan me përplasje ndërmjet kryeministrit kosovar dhe udhëheqësit serb.
E disa takime në Bruksel ka realizuar edhe zëvendësi i Kurtit, i cili ka takuar krerët e BE-së për të diskutuar për marrëveshjet e arritura deri më tani.