Autor: Linda Krasniqi
Në kryeqytet po mbahet festivali i filmit “Pri Fest”, ku po vazhdon me ditën e dytë të programit të edicionit të 13-të festivalit më të rëndësishëm të filmit në Kosovë.
Të mërkurën paradite, para Teatrit Kombetar në Prishtinë, në konferencë për media doli Kozeta Kurti, antare e jurisë së festivalit të filmit ‘Pri Fest’.
Aty u fol për filmin “ZGJOI“, me regji të Blerta Bashollit nga Kosova, ku njëherit ishte edhe e ftuar së bashku me dy producentët, Yll Uka dhe Valon Bajgora.
“ZGJOI” mbrëmë hapi edicionin e 13 të Pri Fest-it, dhe regjisorja tregoi se është pritur shumë mirë nga publiku.
“Për neve është kënaqësi me qenë në Pri Fest, është kënaqësi me shfaq filmin tek ky festival, për çmimet normal është shumë mirë që i kemi, dhe po shohim se si do na shkojë edhe në Pri Fest“, tha ajo, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.
U shpreh se përgjegjësia është shumë e madhe sa i përket filmit, duke marrë parasysh se është i bazuar në ngjarje të vërtetë aq më tepër kur ka të bëjë me një temë kaq të ndjeshme. Tha se për të ka qenë një sfidë shumë e madhe, duke marrë parasysh që personazhi real i kësaj historie Fahrija, ka qenë e ftuar në televizione, në filma dokumentarë, dhe ka dashur që t’i përmbahet sa më shumë të së vërtetës. “E kam menduar shumë se çka duhet të përmbaj në film, ajo ka qenë pjesa më sfiduese, sepse në kuptimin e artistikes dhe dokumentarit ne kemi zgjedh një qasje dokumentareske, për shkak të së vërtetës, për shkak të realizmit, sepse kam pasur dëshirë që të kem një qasje sa më realiste në film, dhe një qasje ku fokusohet aktrimi dhe karakteri kryesor“ shtoi ajo.
Në ndërkohë Kozeta Kurti iu drejtua producentëve Uka dhe Bajgora, se pse kinemaja e Kosovës dhe e Shqipërisë refuzojnë herë pas here të tregojnë historitë e veta, që duket sikur janë personale, meqë para dy viteve ajo kishte dëgjuar disa kritika nga pjesëmarrësit e huaj në festival se “duhet treguar historinë tuaj”.
“Faktikisht ne jemi shumë me fat që kemi një kuadër të madhe me tema të ndryshme, vetëm duhet gjetur ato dhe me i tregu. Është e vërtetë se edhe jashtë vendit kur kemi shkuar, sugjerimet që na i kanë dhënë njerëzve të produksionit, na kanë thënë se kemi tema shumë të mëdha që Europa nuk i ka, sidomos Kosova”, tha producenti Yll Uka. “Më kujtohet para 5 vitesh kur Blerta ma ka prezantuar skenarin, dhe për hirë të së vërtetës e mora atë skenar, për shkak se kam bashkëpunuar edhe herave të tjera me Blertën”, duke shtuar se sa i përket sukseseve të fundit në kinematografinë së Kosovës, ai thotë se pikërisht kanë qenë këto tema më reale.
Sa i përket ballafaqimit me krijimtarinë e kinemasë në festival, Bajgora tha se ne jemi me të vërtetë një popull i vogël me tregime shumë të mëdha. “Kur ballafaqohemi me festivalet ose me filmat në festivale, shohim tema të cilët ata trajtojnë, tregime të cilat vendet tona, populli ynë dhe temat sociale të cilat kanë kaluar nëpër etapa apo vështirësi. Aktorët dhe regjisorët tonë ballafaqohen me botën e kategorisë A të festivalit dhe triumfojnë, ajo na bën neve shumë krenarë dhe na jep kurajo dhe besim që të vazhdojmë tutje“. Duke shtuar në fund se tregimet tona të cilat janë të bazuara në ngjarje të vërteta kanë interes të çdo prodhimi filmik të Kosovës.
Regjisorja e ‘ZGJOI’, Blerta Basholli, tha se edhe paragjykohen ndonjëherë nga dhënia e një mesazhi nga produksioni artistik, por që edhe kanë ndryshuar gjërat për të mirë, vetëm se duhet ende shumë punë për të bërë. “Do të mundohem që të prek sa më shumë tema ndaj një komuniteti të shkelur, apo tema si ajo e të pagjeturve apo fuqizimi i një gruaje. Sepse është me rëndësi të japim mesazh dhe ngritje ndaj këtyre diskutimeve, dhe mendoj që filmi është medium goxha i fuqishëm për me pas ndikim, aq më tepër kur po ka sukses dhe po krijon bujë, atëherë tërheq shikueshmërinë dhe sigurisht që ka ndikim më të madh“.
Sa i përket aspektit të përformancave, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’, regjisorja thotë se pjesa e përzgjedhjeve të aktorëve është pjesa e saj e më e dashur. “Kam njoftuar aktorë të rinj që nuk i kam njohur më herët. Për të më mos marrë gjithmonë aktorët e njëjtë, për mua është shumë me rëndësi të hulumtoj dhe të gjej njerëz që unë mendoj se janë të përshtatshëm për atë rol“, tha ajo.
Rolit kryesor të aktores Yllka Gashi, Blerta thotë se në rastin e saj ka bashkëpunuar edhe më herët me të dhe se përzgjedhja e rolit kryesor është një proces i rëndësishëm. “Me aktorët e filmit kemi biseduar që të kemi komunikimin e mirë me njëri-tjetrin, dhe të kemi energji të mirë gjithashtu sepse relfektohet edhe në aktrim, por e rëndësishmja ka qenë që të futemi komplet ndoshta në personazhin kryesor të kësaj gruaje”.
Gjatë xhirimeve ajo tha se ka shkuar gjithçka mirë dhe se nuk ka pasur grindje apo tensione, edhe pse ka pasur ndonjëherë stres. “Kemi pasur kushtet e mira për xhirim, mbështetjen e plotë prej produksionit, kështu që po besoj se përkundër vështirësive të zakonshme ka shkuar gjithçka mirë“.
Sa i përket mungesës së financimeve apo jo financimeve të duhura ndaj prodhimeve të filmave, producenti Uka thotë se “Sigurisht që duhen kushtet financiare të realizohet një film në vizionin e regjisorëve, përndryshe nuk bëhet. Mirëpo ne si komunitet që jemi, kemi punuar që një dekadë me shumë pasion dhe entuziazëm, dhe me shumë pak buxhet, për ta sjellur filmin kosovar këtu ku e ka sjell. Ai thotë se e kanë arritur këtë gjë, e sidomos me sukseset e viteve të fundit, duke bërë që e gjithë bota t’i kthejë sytë kah bota filmike e Kosovës“.
“Mendoj se ka ardhur koha që qeveria dhe ministria me kthy kokën nga ne edhe me i rritë buxhetet, e t’i rregulloj pak kushtet të komunitetit tonë“, shton ai. Poashtu tha se merita është definitivsiht e aktorëve, regjisorëve dhe ekipve të tjera profesionale sa i përket entuziazmit dhe punës që bëjnë.
Bajgora tregoi se në filmin “ZGJOI” kanë pasur kushte të mira falë punës shumëvjeçare të Blertës, pastaj të tyre të cilët kanë arritur të bëjnë një produksion më të gjerë, ku fillimisht janë financuar prej Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë, dhe poashtu edhe nga Zvicra, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.
Sot në ‘PriFest’, në kuadër të ciklit të debateve TALK, zhvillohet diskutimi lidhur me hapësirat publike në kryeqytet dhe shfrytëzimi i tyre për art dhe kulturë, si dhe ruajtja e objekteve të kulturës nga tjetërsimi në veprimtari tjera. TALK do të mbahet sot nga 16.00-18.00h në hapësirën e kinemasë verore të Kino Rinisë.
Në ora 17:00 në Kino Armata shfaqet filmi-dokumentar izraelit ‘Muronoë’, Pastaj, në ora 18:00 në Teatrin Kombëtar shfaqen 4 filma të shkurtë premierë, dy nga ta premiera regjionale. Një orë më vonë në të njëjtën sallë shfaqet premiera e filmit bashkëprodhim kosovar-boshnjak “Sea dy the River and River by the Sea”, ndërkohë që në të njëjtën orë në Kino Armata shfaqet premiera e filmit austriak “Mehrunisa”.
Në ora 20:00, ë ambient të hapur, në amfiteatrin e Muzeut Kombëtar jepen premierat regjionale të tre filmave, ndërkohë që ne 20:30 po ashtu në kinema të hapur jepet premiera e filmit “The Vanished”, veçse kjo në Sheshin “Zahir Pajaziti” në qendër të Prishtinës.
Po në 20:30, në Teatrin Kombëtar jepet premiera e ‘Andromeda Galaxy’, një bashkëprodhim mes Kosovës, Spanjës, Italisë dhe Maqedonisë së Veriut, derisa 15 minuta më vonë, në Kino Armata nis shfaqja e filmit gjerman ‘Adventures of a Mathematician’. /Reporteri.net/.