×
Art/Kulturë

“Buxheti i ulët, festivale të mëdha”, në ‘Pri Fest’ kinematografët kosovarë flasin për sfidat e të bërit film në Kosovë

Reporteri
27 Gusht 2021 | 14:24

Autor: Linda Krasniqi 


Në kuadër të festivalit të filmit PriFest, të enjten, në Prishtinë, u mbajt paneli i diskutimit me temën “Filma kosovarë, buxheti i ulët, festivale të mëdha” ku pjesëmarrës ishin Ministri Hajrulla Çeku, producenti slloven, Danijel Hocevar, dhe tre producentët kosovarë, Besnik Krapi, Yll Uka dhe Shkumbin Istrefi.


Panelistët diskutuan sukseset e viteve të fundit në kinematografi. Ministri Çeku shprehu se “Suksesi i dukshëm i filmave tanë pavarësisht buxhetit të ulët është shkaku i një serie faktorësh por që në thelb ka punën e palodhur të komunitetit të filmit, bashkëprodhimin me vendet e rajonit dhe Evropës, dhe komunikimin e vazhdueshëm me festivalet e njohura për t’i shfaqur filmat vendor ndërkombëtarisht. Për zhvillimin e sektorit të kinematograsë në Kosovë, Qeveria e Kosovës po punon në tri drejtime“.

Gjatë diskutimit ndërhyn aktori Sunaj Raqa, shkruan Gazeta Online Reporteri.net, i cili shprehu pakënaqësitë ndaj Ministrit të Kulturës, duke ia përmendur buxhetin, financimet , borxhet dhe realizimin e filmave. “Jam një nga të vjetrit që gjendemi këtu, e kam bërë filmin e parë pas luftës, kam kaluar nëpër faza të ndryshme dhe kam marrë më së paku buxhet, kam bërë disa herë thirrje dhe kam dërguar mesazhe dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje“.

Por gjithsesi ministri iu përgjigj edhe kësaj strategjie duke u shprehur “Së pari, Qeveria po ndërmerr hapa për ta ngritur filmin në nivel të sektorit me interes kombëtar. Për këtë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka themeluar grupin punues që po punon në hartimin e veprimeve konkrete financiare, institucionale dhe ligjore për të rritur investimin në prodhimtarinë e filmit . Së dyti është që rritja e kapacitetit dhe mobilizimit në finalizimin e ligjit të ri të kinematografisë nga MKRS, ligj i cili do të pasqyroj nevojat bashkëkohore të këtij sektori. Projektligji pritet të dërgohet në Qeveri për miratim në muajin tetor të këtij viti. Ligji i ri do të rrisë stimujt financiarë për operuar dhe investuar në sektorin e filmit. MKRS ka propozuar një normë prej 30% të kthimit të parave të gatshme për investimet e huaja direkte në kinematografi. Dhe së treti, MKRS po punon në hartimin e koncept dokumentit për kulturë në konsulltim të gjerë dhe gjithëpërfshirës me komunitetin kulturor dhe artistik në Kosovë. Ky dokument do të drejtojë hartimin e ligjit për kulturë nga viti i ardhshëm“.

Ministri Çeku njoftoi në panel që nga viti i ardhshëm buxheti publik për filmin do të dyfishohet. MKRS po punon ngushtë me ekspertët e fushës për të përshtatur këtë rritje të buxhetit më së miri sipas nevojave të komunitetit dhe sektorit të filmit në Kosovë, tha ai.

Producenti Yll Uka në bashkëbisedim tha se “Edhe pse sa i përket buxhetit të ulët që kemi pasut gjatë xhirimit të filmit “ Zgjoi “ ka shkuar gjithçka mirë sipas planit dhe se kemi mbështetur njëri – tjetrin, dhe jam i lumtur për këtë pjesë“.

Aktori Shkumbin Istrefi, njëherit edhe regjisor tha se është shumë e rëndësishme të ndryshohet situata e kinematografisë në Kosovë. “Buxheti është shumë i rëndësishëm gjatë një xhirimi të filmit, për shkak se nëse nuk e kemi buxhetin sa kemi nevojë, atëherë na merr shumë kohë që të bëjmë realizimin e tij”, tha Istrefi.

U fol edhe për filmin “Në kërkim të Venerës“, një film i cili flet për një adoleshente e cila jeton në një familje ku hapësira fizike dhe mendore është mbytëse dhe që ky film arrin një portret realist të një shikimi që përpiqet të arrijë përtej. Producenti i këtij filmi Besnik Krapi tha se “Pa marrë parasysh vështirësive që i kemi pasur jam shumë i kënaqur me fitimin e çmimeve që i kemi marrë në festival të ndryshme“.

Pastaj nga ora 15:00 u diskutua me Drejtorin e Akademisë Evropiane, Matthijs Wouter Knol, moderuar nga Drejtori Artistik i Pri Fest, Fatos Berisha. Aty u bisedua për akademinë evropiane të filmit, përzgjedhjen e filmave, si të bëhen anëtar, ceremoninë e ndarjes së çmimeve dhe tema të tjera.

Më pas në kuadër të ‘Pri Forum’ u mbajt një diskutim me agjentin e shitjes së filmit republik, Xavier Henri Rashid. I cili bisedoi rreth shitjes dhe agjentëve të shitjes së filmit të cilat i solli edhe me ilustrime.

Të gjitha këto takime ishin të hapura për publikun dhe për mediat, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Në fund të kësaj dite, u mbajt shfaqja e parë në ajër të hapur për këtë vit, “TROUBLED SKY” nga Anton Ndreca.

Derisa të premten Pri Fest vazhdon me shfaqjen e premierave të reja. Dokumentarët “The End of Kings” dhe “Stalking Chernobyl” shfaqën në ora 17 në Kino Armata. Një orë pas në Teatrin Kombetar jepen premierat e filmave “Stalling It” dhe “Silenced Tree”, për të pasuar më pas në ora 19:00 me premierën e “The Club of Angels” në Kino Armata.

Nga ora 20:30 në kinemanë e hapur në Sheshin Zahir Pajaziti shfaqet filmi kosovar “Një tregim Prishtinë”, ndërkohë që në të njëjtën orë në Teatrin Kombëtar jepet premiera e “Full Moon”.

Nder 15 minuta më vonë në Kino Aramata shfaqet premiera e fundit për këtë ditë të festivalit të filmit, e rezervuar për filmin indian “Hidden Waters”.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!