Autor: Linda Krasniqi
Edhe pak ditë kanë mbetur nga mbyllja e afatit për aplikim në thirrjen e Pakos së Ringjalljes Ekonomike në fushën e Kulturës dhe Sportit.
Pandemia vështirësoi punën në shumë sfera të jetës. E një ndër to është edhe puna aktive e organizatave jo qeveritare dhe individëve të pavarur në shoqëri, shkruan Gazeta Online Reporteri.net. Për këtë arsye si pjesë e Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike ishte edhe ndarja e të hollave për këta të fundit.
Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport ka ndarë 250 mijë euro për financimin e skenës kulturore, organizatave që punojnë me të rinjtë dhe të tjera.
Tash për herë të parë, gjithë personat të cilët kontribuojnë në këtë fushë do të mund të aplikojnë në ueb faqen e MKRS-së dhe të fitojnë mbështetje në vlerë deri në 25 mijë euro.
Në krahasim me vlerat paraprake si mbështetje për punën e tyre, të cilat shkonin deri në 5 mijë euro.
Të gjitha këto organizata të pavarura me idetë e tyre inovative, varësisht se a i plotësojnë kriteret të cilat kërkohen do të mund të financohen. Artistë, muzikantë, arkeolog e shumë persona tjerë të cilët përmes punës së tyre ndikojnë në fushën kulturore e kanë të mundur që me më shuma financa ta kryejnë atë.
MKRS-ja krejt këtë proces e ka ndarë në Module i cili do të kryhet përmes thirrjeve publike.
Ditë më parë, zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani përmes një konference iu drejtua mediave duket prezantuar modulet. Osmani njoftoi se moduli i parë është: Thirrja publike për projekte të OJQ-ve dhe individëve. Ai i dyti është për blerjen e veprave artistike, pikturave, skulpturave dhe veprave muzikore. Ndërkaq në modulin e tretë zëvendësministrja bëri të ditur se do të mbështeten institucionet lokale të komunave të Kosovës. Ato do të jenë teatrot e qyteteve, muzetë, bibliotekat dhe gjithë institucionet tjera artistike.
Në vitin 2021 për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë ndarë 13 milionë euro, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Andaj, u bëjmë thirrje të gjitha organizatave dhe individëve që të aplikojnë me idetë dhe projektet e tyre ” shtoi Zëvendësministrja Osmani.
Ndërsa 2 milionë euro nga kjo masë e mbështetjes do të ndahen për zhvillimin e sportit. Kjo është hera e parë që MKRS-ja hap thirrje publike për subvencionimin e individëve dhe organizatave që kanë për qëllim zhvillimin dhe promovimin e sportit garues, sportit për të gjithë, menaxhimin sportiv dhe zhvillimin e hulumtimit dhe të dokumentimit në fushën e sportit. Vlerat maksimale të përkrahjes përmes kësaj thirrjeje janë: 30 mijë euro për individë dhe 150 mijë euro për organizata.
Vlera totale e buxhetit për përkrahjen e komunitetit artistik, rinor dhe sportiv nga MKRS-ja për vitin 2021 është 13 milionë euro. Kjo vlerë e buxhetit është rritur në mënyrë sistematike përmes rishikimit të buxhetit të MKRS-së dhe Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Gjithsesi kanë mbetur edhe pak ditë nga mbyllja e afatit për aplikim.