Pavarësisht se përdorimi i fëmijëve nëpër fushata zgjedhore është i ndaluar me ligj, një gjë e tillë nuk po paraqet problem për kandidatin për kryetar të komunës së Deçanit nga radhët e AAK-së, Bashkim Ramosaj.
Që nga fillimi i fushatës, në disa raste, Ramosaj ka mbajtur tubime në të cilat të pranishëm janë parë edhe fëmijë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Tubimi më i fundit është ai i mbajtur mëngjesin e djeshëm, ku Ramosaj, kryetar aktual i Deçanit, është takuar me bletarët deçanas.
Në fotografitë e publikuara në Facebook nga vetë Ramosaj shihen dy fëmijë të pranishëm në këtë takim i cili është mbajtur në një sallë sportesh në një shkollë në Deçan.
Rast të ngjashëm, Ramosaj ka përsëritur edhe para dy ditësh, përkatësisht më 9 tetor, me ç’rast për fushatë zgjedhore e ka vizituar klubin e kikboksit “Muay Thai Club Deçani & Kickbox Club Shkelzen Haradinaj” në Deçan.
Po në këtë postim, Ramosaj ka publikuar fotografi me fëmijët që trajnohet për kikbosks në këtë klub, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“#PërDeçaninSkaMeUndal. #AAK121✅ BR”, e përfundon postimin e Ramosaj, duke bashkangjitur fotografi me një grup fëmijësh.
Ndryshe, sipas Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, ndër veprimet e ndaluara të subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore është edhe nxitja e cilitdo person për të votuar në zgjedhje, i cili nuk ka të drejtë vote.
Në zgjedhjet e fundit lokale në vend të mbajtura më 2017, sipas të dhënave të publikuara nga Rrjeti i organizatave të shoqërisë civile Demokracia në Veprim (DNV) është bërë e ditur se mbi 2000 fëmijë kanë marr pjesë në aktivitetet e partive politike.