Autor: Bleda Krasniqi
Të gjithë kandidatët për kryetar të komunës së Prishtinës pritet se do të dalin sonte në një debat të përbashkët televiziv.
Kështu ka njoftuar BIRN-i, të cilët kanë bërë të ditur se debati do të zhvillohet, prej orës 20:00, në kuadër të “Debat Përnime” dhe transmetohet në televizionin Dukagjini.
Në paralajmërimin e debatit thuhet se pjesëmarrës do të jenë të gjithë kandidatët për kryetar të Prishtinës. Që rrjedhimisht sonte mund të ndodhë përballja e parë në debat mes Arben Vitisë së VV-së, Përparim Ramës së LDK-së dhe Uran Ismailit të PDK-së.
Gazeta Online Reporteri.net ka kontaktuar producentin e “Debat Përnime”, Faik Ispahiu, për tu interesuar nëse është konfirmuar prezenca e të gjithë kandidatëve në debat, përfshirë edhe tre pretendentëve kryesorë për të parin e Prishtinës.
Megjithatë ai nuk ka pranuar të konfirmojë një gjë të tillë.
“Ftesa është dërguar, për më shumë mund të shihni njoftimin në faqe”, është përgjigjur Ispahiu duke i ikur pyetjes së Reporteri.net “se a e kanë konfirmuar pjesëmarrjen të gjithë kandidatët e kryeqytetit?”.
Një debat i tillë, që nga fillimi i fushatës zgjedhore ishte kërkuar shumë herë në Prishtinë. Debatet “Kallxo Përnime” moderohen nga gazetarja Jeta Xharra.
Ndryshe, kandidatë për të parin e Prishtinës janë Arben Vitia nga LVV-ja, Përparim Rama nga LDK-ja, Uran Ismaili nga PDK-ja, Gëzim Mehmeti nga AKR-ja e Daut Haradinaj nga AAK-ja.
Zgjedhjet lokale në vend do të mbahen këtë të diele, më 17 tetor. /Reporteri.net