Autor: Lira Klaiqi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur sot rezultatet përfundimtare të raundit të parë të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave, të cilat u mbajtën më 17 tetor 2021. Nga këto zgjedhje kanë dalë 13 mijë e 22 fletëvotime të pavlefshme në të gjitha komunat e vendit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas statistikave del se komuna me numrin më të madh të votave të pavlefshme është Prishtina me 1 mijë e 40 të tilla. Pas Prishtinës vjen Vushtrria me 1 mijë e 10 vota të pavlefshme. Komuna e tretë për nga numri i fletëvotimeve të pavlefshme është Prizreni me 858 vota të pavlefshme.
Drejtuesi i koalicioni i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim (DnV), Ismet Kryeziu ka thënë se numri i fletëvotimeve të pavlefshme vije si pasojë se dizajni i fletëvotimit nuk është shumë i lehtë.
Po ashtu Kryeziu në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net, ka thënë se edhe fushatat për informimin dhe edukimin e votuesve duhet të jenë më kualitative.
“Fletëvotimet e pavlefshme janë pasojë për të cilën DnV një kohë të gjatë është duke avokuar dhe ka të bëjë me angazhimin e KQZ-së, si dizajnimi i fletëvotimit dhe kuptimin më lehtë për votuesit. Gjithashtu, fushatat për informimin dhe edukimin votuesve, të cilat duhet te kenë një dinamikë dhe një kualitet më ndryshe, nga KQZ dhe subjektet politike.”, ka thënë Kryeziu për Reporteri.net.
Këto janë statistikat e votave të pavlefshme në të gjitha komunat e Kosovës:
Sipas statistikave të dhëna nga KQZ del se në komunën e Decanit kanë qenë 215 vota të pavlefshme.
Në komunën e Gjakovës 514 fletëvotime të pavlefshme. Në gjilan 629, në Dragash 179, në Istog 186.
Kacaniku ka pasur 250 vota të pavlefshme. Ne Klinë kanë qenë 260. Në Fushë Kosovë 293, Kamenicë 220 , Mirovicë e Jugut 661, Leposaviq 215, Lipjan 523, Novobërd 93, Obliqi 234, Rahoivec 221, Pejë 641, Podujevë 500, Prishtinë 1040, Prizren 858, Skënderaj 453, Shtime 200, Shtërpc 176, Suharekë 208, Ferizaj 755, Viti 190, Vushtrri 1010, Zubin Potok 168, Zvecan 185, Malishevë 371, Junik 23, Mamushë 12, Han i Elezit 67, Graçanicë 439, Ranillug 144, Partesh 65, Kllokot 155 dhe Mitrovicë e Mitrovicë e Veriut 231.
Ndërkohë zgjedhjet me numrin më të madh të fletëvotimeve të pavlefshme janë shënuar në vitin 2017. Rreth 80 mijë fletëvotime të pavlefshme janë shpallur në zgjedhjet lokale të vitit 2017. Po atë vit u organizuan edhe zgjedhjet parlamentare. Në këto zgjedhje, më shumë se 42 mijë vota u shpallën të pavlefshme./Reporteri.net