Nënkryetari i grupit parlamentar të liberlaëve në Bundestagun gjerman, Konstantin Kuhle, të premten ka kritikuar ashpër Qeverinë e Serbisë për politikën e vizave ndaj qytetarëve të vendeve si India, Tunizia apo Burundi, raportoi portali European Western Balkans, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Portali shkruan se austriakja Der Standard raporton se ai tha se gjithnjë e më shumë njerëz po aplikojnë për azil në BE, sepse “politika e Serbisë lejon që personat jashtë BE-së të hyjnë në vend pa viza dhe më pas i dërgon në vendet e tjera evropiane”.
“Qeveria e Serbisë po shkakton vuajtje njerëzore dhe po destabilizon Evropën,” tha ai. Kuhle bëri thirrje për ndërprerjen e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
“Duke pasur parasysh këtë lloj sjelljeje, negociatat e pranimit në BE me Serbinë duhet të ngrihen,” tha Kuhle. Ai përmendi edhe afërsinë e Beogradit zyrtar me autoritetet në Rusi dhe vlerësoi se një vend që justifikon dhe mbron luftën e agresionit të Rusisë kundër një shteti tjetër evropian, nuk duhet të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.
Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (FRONTEX), në 9 muajt e fundit, rreth 228 mijë persona kanë hyrë ilegalisht në BE, që është 70 për qind më shumë se vitin e kaluar. Shumica e hyrjeve të paligjshme janë përmes rrugës së Ballkanit Perëndimor, shkruan EWB, përcjell Reporteri.net