Modeli i Dy Gjermanive në rastin e Kosovës dhe Serbisë, për ish-kryediplomatin serb Zoran Millivojeviç, do të thotë “krijim i kushteve për Shqipëri të madhe dhe Serbi të vogël”, raporton gazeta online Reporteri.net.
Përmendjen për afat kohor për arritje të një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë deri në maj të 2024’ës, ai e quajti dëshmi “të ambicieve amerikane dhe evropiane” për njohjen e Kosovës nga Serbia.
“Të përmendësh vitin 2024 tregon ambicien e administratës amerikane. Është vit zgjedhjesh dhe kjo tregon se sa të rëndësishme e kanë çështjen e Kosovës”, i ka thënë ai medias serbe “Kurir”.
Me modelin e Dy Gjermanive, Millovojeviç e sheh ndryshimin e pozicionit ndërkombëtar të Serbisë. “Do të dobësohej pozita ndërkombëtare e Serbisë, dhe njerëzit duhet ta dinë se çfarë do të thotë kjo”.
“Kjo do të thotë Serbi më e vogël dhe një anëtare të re të Kombeve të Bashkuara, Kosova”, thotë ai dhe shton se për Serbinë është e papranueshme një zgjidhje e tillë.
“Modeli gjerman u krijua si rezultat i një lufte botërore, së dyti është për njerëz të njëjtë, prandaj ka pasur aspirata nga të dyja palët për ta realizuar. Në rastin tonë do të krijonte kushtet për Shqipëri të Madhe dhe Serbi të Vogël”, është shprehur mes tjerash ish-kryediplomati serb./Reporteri.net/