Në vazhdën e takimeve me krerët e shtetit serb, zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escsbar, u takua edhe me kryenegociatorin e palës sebre, Petar Petkoviç, njoftoi e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, raporton gazeta online Repoteri.net.

Petkoviç emisarit amerikan i ka thënë se negociatat Kosovë-Serbi duhet të vazhdojnë duke insistuar në themelimin e Asociacioni të Komunave me shumicë serbe.

Temë e diskutimit, siç njofton kjo e ashtuquajtur Zyrë, ishte edhe tema e riregjistrimit të targave, çështja e Udhërrëfyesit për Energjinë dhe marrëveshjet tjera të dialogut të Brukselit.

Reklamë

Petkoviç i është ankuar për dënimin e ish-ministrit serb në Kosovë, Ivan Todosijeviç, me 1 vit burg, i cili e mohoi masakrën e Reçakut, si dhe dënimin e 20 vjeçarit Nikola Nedjelkoviç i cili në Gazimestan bërtiti “vrite shqiptarin”.

“Verdikte të tilla mohojnë të drejtën e mendimit, lirisë së fjalës dhe shprehjes të serbëve në Kosovë dhe zhbëjnë liritë civile dhe demokratike”, ka thënë Petkoviç për dy rastet në fjalë.

Gjithashtu ky i ashtuquajtur drejtor i një zyreje fiktive në qeverinë serbe, diskutoi rreth ndalimit të tij për të hyrë në Kosovë.

“Pavarësisht gjithçkaje, Beogradi mbetet fondamentalisht e interesuar të ruajë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe mbështetet në mjetet politike dhe diplomatike për të parandaluar të gjithë ata që kërcënojnë për të destabilizuar rajonin dhe të hapin konfrontime të reja”, ka thënë mes tjerash Petar Petkoviç./Reporteri.net/