Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Dana Spinant, nuk e ka komentuar vendimin e Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fund të këtij viti, raporton gazeta online Reporteri.net.

Pyetur se cilat janë hapat politikë dhe proceduralë që nevojiten në dhënien e statusit të shtetit kandidat të BE-së për Kosovën, duke iu referuar edhe pesë shteteve mosnjohëse të BE-së, zëdhënësja u shpreh se nuk mund të komentojë për hapat e ardhshëm të një kandidature që ende nuk është dorëzuar, raportuan mediat serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian më së largu deri në Krishtlindje.

Reklamë

Formalisht Kosova mund të aplikojë për në BE, por në bashkësinë evropiane janë pesë vende të cilët nuk e pranojnë shtetin e Kosovës dhe vendimet merren me konsensus të plotë prej 27 shteteve anëtare.

E përditshmja gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, në një shkrim në qershor të këtij viti rreth lajmërimit se Kosova do të aplikojë në BE, e kishte quajtur “kalkulim” të krymenistrit të Kosovës Albin Kurti që ta bëjë BE-në “të merr pozicion”:

“Formalisht kjo nuk ndryshon asgjë sa për start. Mund të aplikoni për çkado – por çfarë ju dëshironi nuk do të thotë asgjë rreth asaj se çfarë prospektesh keni. Ky lajmërim nuk e ndryshon faktin që nga 27 vende të BE-së (Qiproja, Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia) nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në vitin 2008. Fakti që Kurti megjithatë zgjodhi të ndërmerr këtë hap, gjithashtu ka të bëjë me rrethanat e veçanta të muajve të kaluar – dhe mbase edhe me dëshirën për ta detyruar BE-në të marr pozicion”, thuhej në artikull.

“Kalkulimi i Kurtit: nëse Brukseli dhe kryeqytetet evropiane duan t’i japin preferencat e tyre ndaj një vendi të shkatërruar nga lufta [fjala është për kandidaturën e Ukrainës pas agresionit rus] ose një vendi në Kaukaz para Kosovës, e cila ka një popullatë me shumicë dërrmueses pro-perëndimore, atëherë ata duhet ta thonë haptazi këtë gjë”, shkruante më tej gazeta gjermane, përcjell Reporteri.net.