×
  • Lajme
  • Lajme

    Sekretari Blinken i çon letër Kosovës, përcjell mesazhe për propozimin evropian

    Reporteri
    17 Shkurt 2023 | 22:25
    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përmes në kumtese, ka uruar Kosovën për 15 vjetorin e pavarësisë, me ç’rast edhe ka përçuar disa mesazhe në lidhje me propozimin evropian në kuadër të dialogut me Serbinë.

    Në këtë letër, të cilën e ka bërë publike kryediplomatja Donika Gërvalla, Blinken shkruan se propozimi evropian mbetet kyç në normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ai tha se ky propozim sjell edhe njohjen eventuale reciproke, dhe se, me mbështetjen e ShBA-ve, dialogu do ta çojë përpara anëtarësimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

    “Partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës i ka rrënjët në mirëkuptimin reciprok, vlerat dhe miqësinë mes popullit tonë. Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin për prioritetet tona të përbashkëta për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, me në qendër njohjen eventuale reciproke, mbetet thelbësor për këtë. Marrëveshja e propozuar së fundmi në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ka mbështetjen tonë të fortë dhe do ta çojë në masë të madhe vendin tuaj drejt stabilitetit më të madh rajonal dhe integrimit evropian dhe euroatlantik”, thuhet në letrën e Blinken.

    Tutje, sekretari amerikan tha se Kosova ka bërë progres të madh në vendosjen e demokracisë përgjatë këtyre 15 viteve pavarësi.

    “Progresi i Kosovës gjatë pesëmbëdhjetë viteve të pavarësisë është i jashtëzakonshëm për hapat e saj të mëdhenj në zhvillimin e një demokracie të qëndrueshme, multietnike dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet tutje.

    “Urime përsëri të gjithë popullit të Kosovës – mikut, partnerit dhe aleatit tonë – për këtë ditë të rëndësishme. Ju uroj një vit të qetë dhe të begatë tutje”. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!