×
Art/Kulturë

Ekspozita “EUROPA IME” bën bashkë artistët e rinj nga Shqipëria dhe Kosova

Reporteri
30 Mars 2023 | 19:17

Në një atmosferë elektrizuese u çel gjatë kësaj jave në Tiranë ekspozita kolektive “EUROPA IME”.

Ekspozita shënoi një moment të paharrueshëm ku arti hap udhët e komunikimit për një konfrontim të ri me Europën. 20 Artistë të rinj nga Shqipëria dhe Kosova shpërfaqën në këtë ekspozitë punimet e tyre në mediumet e pikturës, fotografisë, dizajnit grafik, posterit, pikturës digjitale dhe skulpturës me një koncept të kuruar plot sqimë nga kuratori Elton Koritari.

Në fjalën e hapjes znj. Blerta Tuci Drejtuese e EU Policy Hub në Tiranë u shpreh se të rinjtë e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të inkurajohen për më shumë bashkëpunime dhe shkëmbime thelbësisht edukative mbi njohje proporcionale të Dimensionit Europian dhe nxitjen e diskursit publik mbi Integrimin Europian të të dy vendeve.

Z. Koritari u shpreh se: Në këtë moment ekspozita të tilla shënojnë një sukses pasi artistët e rinj përballen me sfida të shumta lidhur me promovimin e artit të tyre, por dhe mbijetesës në një treg kulturor fluid e gjithnjë më të dixhitalizuar.

Artistët pjesëmarrës janë: Erblina Dalipi, Albi Yzo, Desara Ndoci, Elona Sylyku, Ened Kuka, Era Bajo, Erisa Breznica, Albina Fetahu, Kristi Simo, Dhurata Begolli, Gresa Gashi, Gention Qeli, Qëndresa Krasniqi, Rudina Rashiti, Bajram Llapashtica, Learta Ibraj, Klimt Dinollari, Erleta Loshaj, Klejda Gjata, Megi Ajdini.

Ekspozita zhvillohet në kuadër të Projektit “Arti afron Europën më pranë të rinjve” i cili zbatohet nga organi zata EU Policy Hub në Tiranë dhe Instituti SINK në Kosovë, si pjesë e programit Tirana Kryeqytetit Europian i Rinisë me mbështjetjen e Kongresit Rinor Kombëtar dhe Bashkisë Tiranë.

Ajo do të qëndrojë e hapur deri në datën 31 Mars prej orës 09.00- 18.00 në ambjentet e Europe House në Tiranë dhe në muajt në vazhdim pritet të çelet në Prishtinë.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!