Organizatorët e festivalit DokuFest kanë reaguar pas linçimit publik që iu bë këtij festivali duke marrë shkak një performancë të artistes ndërkombëtare “Peaches”, në koncertin e hapjes.
Shumë qytetarë reaguan ashpër duke thënë se performanca të tilla kanë synim degjenerimin dhe prishjen e “familjes së shëndoshë”. Madje, u pretendua se kjo performancë u zhvillua në sy të fëmijëve, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Mirëpo, organizatorët e DokuFest kanë theksuar se performanca është realizuar në ambient të mbyllur, dhe se të gjithë pjesëmarrësit kanë qenë të moshës mbi 18-vjeçare, e që kanë paguar bileta për të hyrë brenda.
“Dëshirojmë të vendosim gjërat drejt në lidhje me koncertin e artistes dhe aktivistes për të drejtat e njeriut, ‘Peaches’. Koncerti në fjalë u zhvillua brenda një zone të rrethuar mirë, e kufizuar rreptësisht për të pranishmit 18 vjeç e mbi, vetëm me bileta të blera”, thuhet në reagim.
“Akuzat e pabaza ndaj festivalit tonë, fatkeqësisht kanë bërë jehonë në media, përfshirë ato ndërkombëtare, duke paraqitur një pamje të padëshiruar që keqinterpreton vlerat progresive dhe demokratike të shoqërisë sonë”.
Në reagim është veçuar edhe sulmi ndaj gazetarit Vullnet Krasniqi, me ç’rast organizatorët kanë shprehur keqardhje që retorika nxitëse ka përshkallëzuar në dhunë gjatë protestës.
“Dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë për shumicën e qytetarëve të Prizrenit që nuk iu nënshtruan provokimeve të tilla. Mbështetja, mikpritja dhe bujaria e tyre kanë qenë gjithmonë një gur themel i suksesit të festivalit tonë”, thuhet ndër të tjera. /Reporteri.net/.
Reagimi i plotë:
DokuFest qëndron i palëkundur si një platformë ku të drejtat e njeriut mbrohen dhe promovohen në mënyrë universale, pa dallim. Jemi thellësisht të shqetësuar nga përhapja e fundit e dezinformatave që sugjerojnë se koncerti i hapjes së DokuNights ishte i qasshëm për të miturit, si dhe nga retorika nxitëse e urrejtjes që pasoi. Kjo na ka bërë të dyshojmë se ka përpjekje të fshehtë për të minuar misionin tonë për adresimin e të drejtave të njeriut dhe çështjeve sociale përmes artit dhe kulturës.
Dëshirojmë të vendosim gjërat drejt në lidhje me koncertin e artistes dhe aktivistes për të drejtat e njeriut, ‘Peaches’. Koncerti në fjalë u zhvillua brenda një zone të rrethuar mirë, e kufizuar rreptësisht për të pranishmit 18 vjeç e mbi, vetëm me bileta të blera.
Akuzat e pabaza ndaj festivalit tonë, fatkeqësisht kanë bërë jehonë në media, përfshirë ato ndërkombëtare, duke paraqitur një pamje të padëshiruar që keqinterpreton vlerat progresive dhe demokratike të shoqërisë sonë. Është thellësisht shqetësues fakti që retorika nxitëse nga disa figura publike ka eskaluar në dhunë gjatë protestës, siç u pa në rastin e gazetarit të mediumit Nacionale, Vullnet Krasniqi. Kërkojmë nga autoritetet që të sigurojnë që autorët e këtyre akteve të urrejtjes të sillen para drejtësisë.
Dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë për shumicën e qytetarëve të Prizrenit që nuk iu nënshtruan provokimeve të tilla. Mbështetja, mikpritja dhe bujaria e tyre kanë qenë gjithmonë një gur themel i suksesit të festivalit tonë.
DokuFest është dhe do të jetë gjithmonë një fener për të drejtat e njeriut. Ne mbetemi të palëkundur dhe të sigurt në misionin tonë për të promovuar të drejtat e njeriut dhe barazinë për të gjithë.