×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    Osmani i reagon BE’së: Hapja e Urës së Ibrit asesi nuk dialogohet me Serbinë, vetëm me partnerët

    Reporteri
    01 Gusht 2024 | 19:13

    Presidentja Vjosa Osmani i ka reaguar zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili tha sot se rihapja e urës së Ibrit është një çështje dialogu dhe se çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në dialog

    Osmani ka thënë se çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë sepse do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e  kushtetutshmërisë së vendit, shkruan Reporteri.net.

    Osmani ka thënë se dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë.

    “Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e  kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë. ??”, ka shkruar Osmani.

    Stano tha sot se rihapja e urës së Ibrit është çështje dialogu.

    “Përsëris, unë mund të kujtoj vetëm se rihapja e urës është një çështje dialogu dhe çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në dialog”, deklaroi sot Stano.

    Për hapjen e Urës së Ibrit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti javë më parë tha se ajo s’është kundër askujt, por për të gjithë qytetarët. Madje ai për këtë kishte pasur edhe një takim me vendet e QUINT-it, me të cilët kishte biseduar për këtë çështje.

    “Është marrëveshje e para shumë vjeteve në Bruksel, nga dekada e kaluar. Ne e dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe liria e lëvizjes. Hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër nuk është kundër askujt, por është për qytetarët. I ndihmon njerëzit në të dy anët gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin. Janë edhe tri ura tjetra, e të ngelet vetëm kjo mbyllur për vetura s’më duket në rregull. Edhe kjo urë do duhej të jetë e hapur, madje para shumë viteve në njërën prej marrëveshjeve të Brukselit, hapja e plotë e urës është quajtur simbol i normalizimit, pra është përdorur nga vetë Bashkimi Evropian, në vitet 2014-2017. Kundër askujt, por për të gjithë”, kishte deklaruar Kurti.

    Stano: Do të njoftojmë kur të vendoset për heqjen e masave ndaj Kosovës – hapja e Urës së Ibrit bëhet përmes dialogut

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!